Duhej të ishin në shkollë, por përfundojnë njëri në spital e tjetri në polici. Një 15-vjeçar mbeti i plagosur me thikë në këmbë nga një bashkëmoshatar gjatë një sherri banal. Dy adoleshentët e përfshirë në konflikt janë nxënës të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar. 

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:15 të së mërkurës, në lagjen nr.15 të Durrësit. A. Ç., 15 vjeç, nxënës të klasës së 8-të  m, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës të llojit thikë në këmbë, një bashkëmoshatar të tij. Nxënësit janë konfliktuar ashpër në hyrje të shkollës me njëri-tjetrin.

I plagosuri është dërguar  në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të policisë u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e komisariatit, e autorit të dyshuar.

Burime policore bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi jashtë mjediseve të shkollës, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel