Konfiskimi i pasurive të vëllait të deputetit/ Cilët gjyqtarë do të shqyrtojnë çështjen e Gazmend Mahmutajt

04/05/2022 16:24

Gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen e Gazmend Mahmutajt, vëllait të deputetit Kasem Mahmutaj do të jenë Nertina Kosova kryesuese dhe Daniela Shirka dhe Dhimitër Lara në seancën e planifikuar më 18 maj 2022.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, çështja nr. 82 regjistri themeltar, datë 27.04.2022 regjistrimi, me objekt “konfiskimin e pasurive” ndaj subjektit G.M. do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga, kryesuese gjyqtarja Nertina Kosova dhe anëtarë gjyqtarët DanielaShirka dhe Dhimitër Lara, në seancën gjyqësore të planifikuar më 18 Maj 2022, ora 12:00”, sipas njoftimit.

Në vendimin e shpallur nga gjyqtarja Etleva Deda numërohen 22 pasuri të konfiskuara ndaj tre vëllezërve Mahmutaj, mes të cilave ndodhen edhe pronat e deputetit.

Burimet për Top Channel thanë se nga deputeti Kasem Mahmutaj me urdhër të gjykatës kaluan në favor të shtetit dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe një automjet.

Ndonëse i deklaruan si të ardhura nga emigracioni gjykata vlerësoi se pasuritë e Behar, Kasem dhe Gazmend  Mahmutaj  nuk justifikohen dhe se ka dyshime që burojnë nga krimi sa kohë ky i fundit rezulton i dënuar.

Gazmend Mahmutaj me emrin e ndryshuar në Eduart Toska rezulton të jetë shpallur fajtor nga Gjykata e Veronës në nëntor të vitit 1993.

Ky vendim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit është konvertuar në Shqipëri me tetë vite burg në të njëjtin vit.

Ndërkohë që në vitin 2020 pasuritë e të dënuarit dhe familjarëve të tij u vendosen nën kontrollet e OFL  e më pas të kërkimeve të SPAK që shkoi në gjykatë me kërkesë bllokimi.

Deputetit dhe dy vëllezërve të tij u është lënë pa konfiskuar vetëm nga një banesë që u toleruan nga gjykata për motive sociale dhe strehimi.

Pas hetimeve proaktive SPAK ka marrë vendime konfiskimi për pasuri me vlerë 71 milionë euro, më të rëndësishmet Toyota Yaris 3.4 milionë euro apo tokat në vendin e quajtur Rana e Hedhur, të tjerat janë nën procedim pasuror.

Top Channel