Hoxton Academy” diplomon inxhinierët e parë në teknologjinë e Informacionit, Veliaj: Sfida jonë, të kemi 10 mijë kodues në Tiranë

03/05/2022 18:38

Digjitalizimi i shërbimeve, por edhe rritja e kërkesës në treg, ka bërë që shumë prej të rinjve shqiptarë të orientohen drejt teknologjisë së informacionit dhe kodimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 30 inxhinierëve të parë në degën e zhvillimit të softuerëve nga “Hoxton Academy”. Ai u shpreh se falë nismave për digjitalizimin e shërbimeve, në pak vite, Shqipëria renditet në vendin e 17 në botë për ofrimin e shërbimeve online.

“Përpara pak vitesh, turpëroheshim kur lexonim raportet që na rendisnin në vendin e 127-të në botë për dije digjitale dhe për atë që quhet ofrimi i shërbimeve online. Raporti i para një jave na vendosi të 17-tët – kjo do të thotë se bëhet! Unë besoj se ky vit dhe viti që vjen është pika e kthesës”, theksoi ai.

Veliaj u shpreh se sfida është që të kemi 10 mijë kodues në Tiranë. “Sot në Tiranë kemi 4700-4800 kodues, por nëse arrijmë në 10 mijë kodues në një apo dy vitet e ardhshme, do të thotë se 1% e popullsisë së Tiranës mund të shëerbejë si ajo ‘majaja’ që fryn bukën, për të kryer kapërcimin e nevojshëm nga call-center në data-center”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se bashkia po negocion me shumë akademi të njohura kodimi në botë, për të sjellë eksperiencën e tyre në Tiranë.

“Ne e humbëm revolucionin industrial dhe nuk bëjmë dot as Audi, as Mercedes. Është më mirë ta pranojmë këtë fakt dhe të bëjmë një kërcim, të kapim industrinë e teknologjisë së informacionit. Ne po bëjmë negociata me “Factory Berlin”, vendi që inkuboi Soundcloud dhe Gorillas etj, dhe shpresoj të jemi aleatë për kapur këtë target që i kemi vënë vetes, që 1% e popullsisë së kryeqytetit të jenë zyrtarisht inxhinier softuerësh, kodues, sepse është e ardhmja”, theksoi Veliaj.

Pas gjashtë muajsh trajnim me profesorë të klasit Botëror, të cilët kanë trajnuar inxhinierë softueri nga kompani të shquara si Amazon, Apple, Netflix dhe Facebook, tashmë të diplomuarit e “Hoxton Academy” janë gati të fillojnë punën me disa prej kompanive më të njohura shqiptare e ndërkombëtare në fushën e zhvillimit softuerik për dy vitet ardhshme.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA