Parukieres Zamira Senkaj iu gjet në sallon një qese me lëndë narkotike, për të cilën thotë se nuk kishte fare informacion.

Përballë trupës gjykuese, 54-vjeçarja tha këtë të diel se lënda narkotike, e ndarë ne 18 qese, është lënë në sallonin e saj nga shoku i djalit, të cilin e kishte lejuar disa herë të kalonte natën në qendrën estetike:

“Erdhi në darkë, më tha: nuk kam çelësat e shtëpisë, më ka ikur mami me gjyshen, a të fle gjumë këtu. Dhe unë e lashë të flinte gjumë në parukeri, por unë  nuk dija çfarë kishte ai, dhe të nesërmen erdhi policia, unë nuk dija gjë fare”.

Lënda është  e Arluen Begës, që është konsumues i drogës, i ka thënë ajo gjykatësit.

Në sallon policia ka gjetur po ashtu një pjatë porcelani me një lëndë të bardhë të dyshuar kokainë, që lë të kuptohet që Bega, jo vetëm ka mbajtur lëndën narkotike në biznesin e nënës së mikut të tij, në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”, por dhe ka konsumuar brenda ambientit drogën.

Në fund të seancës gjyqësore, që u ndoq nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, parukierja u la në burg për veprën penale të “moskallëzimi të krimit”, pasi dyshohet se e dinte që Bega shiste lëndë narkotike dhe nuk e ka denoncuar rastin në policisë.

Ndërsa për Begën, gjykata lëshoi masën arrest me burg në mungesë.

Top Channel