“1 Maji”, Veliaj certifikata falenderimi për 11 punonjësit më të vjetër të bashkisë: Ajo që na bën bashkë, është mirënjohja për punën e njëri-tjetrit

30/04/2022 17:23

Në vigjilje të “1 Majit”, Ditës së Punëtorëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi të gjithë punonjësit që kujdesen për mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve në qytet, si dhe i shprehu mirënjohjen e tij 11 punonjësve më të vjetër të bashkisë ndër vite, të cilët shërbejnë në ndërmarrje të ndryshme të qytetit.

Duke u dhënë një certifikatë mirënjohjeje, Veliaj i falenderoi ata për punën, sakrificën dhe përkushtimin në shërbim të komunitetit. Veliaj theksoi se të gjithë punonjësit që shërbejnë në bashkinë e qytetit kanë meritë për ndryshimet pozitive që po pëson Tirana sot. Ai theksoi se ajo që e ka bërë Tiranën një qytet të madh e një qytet të konsoliduar, është mirënjohja për punën e njëri-tjetrit.

“Mirënjohja dhe vlerësimi për punën e tjetrit është mënyra e duhur për të falenderuar dikë në një familje si qyteti i Tiranës. Ajo që e ka bërë Tiranën një qytet të madh e një qytet të konsoliduar, me një skuadër prej 10 mijë vetash në staf, që shërben cep më cep, nga Zall Bastari në Ndroq, nga Krraba në Kashar, është pikërisht mirënjohja që kemi për punën e secilit prej nesh”, tha ai.

Veliaj e cilësoi “1 Majin”si një ditë reflektimi për sakrificat e secilit që punon për Tiranën, për të pasur një qytet më të mirë. “Do doja që në këtë vigjilje të “1 Majit” të kishim një moment ku të reflektonim pak. Jam shumë mirënjohës për këtë kontribut, për thinjat, djersën, për të gjitha orët e punës jashtë orarit zyrtar, për fundjavat e munguara me familjen, ndaj doja që kjo të ishte dita kur ne i kushtohemi institucionit të mirënjohjes”, shtoi ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se Tirana është një qytet i destinuar të rritet, pasi është vendi i mundësive për shqiptarët. “Përballë këtij urbanizimi të jashtëzakonshëm të Tiranës, një nga sfidat është edhe për ta shpjeguar atë që po ndodh. Ndonjëherë, ata që bëhen më racistë janë ata që sapo kanë ardhur këtu, në këto vite të tranzicionit. Kur ankohemi për trafikun ose për ndërtimet, secili duhet t’i bëjë vetes një pyetje: ‘Edhe ti erdhe në Tiranë sepse more vendimin për të ardhur në vendin e mundësive. Këtë vendim po e marrin sot edhe shumë të tjerë. Vendimin për të shkuar në punë në orën 08:00 të mëngjesit po e marrin edhe 200 mijë të tjerë që kanë një makinë. Vendimin për të shkolluar fëmijët po e marrin edhe 150 mijë familje që i sjellin fëmijët si studentë në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku u shpërndau atyre certifikata mirënjohjeje për gjithçka kanë bërë për të pasur një qytet më të mirë.

Top Channel