SHBA mbështet integrimin/ Rama: Folëm për reformat, energjinë, rajonin dhe veton bullgare

29/04/2022 20:59

Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Karen Donfried, e shoqëruar nga i dërguari special i DASH për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar dhe ambasadorja Yuri Kim, qëndruan 60 minuta me kryeministrin Edi Rama.

Pjesë e delegacionit amerikan ishin edhe dy ushtarakë, gjë e cila lë të kuptohet se në këtë takim me Ramën është folur edhe për çështje të sigurisë.

Nga ajo çfarë tregoi kryeministri pas takimit, integrimi në BE, ishte një prej çështjeve kryesore të diskutuara.

“Diskutuam gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur”.

Në fund të takimeve në Tiranë të  Karen Donfried, ambasada amerikane tha se “Lufta në  Ukrainë e ka bërë integrimin në BE  edhe më urgjent. Të dyja palët rikonfirmuan mbështetjen e tyre të fortë për bisedimet e anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut  dhe angazhimin e tyre për të punuar me partnerët shqiptarë për reformën në drejtësi dhe  integrimin në BE”.

Vizitës në Tiranë të Karen Donfried, i parapriu të enjten një deklaratë e kryeministrit Rama për integrim nga ku ai shpresonte shumë që amerikanët të zgjonin nga gjumi partnerët europianë e të vijonin me zgjerimin.

“Kemi një sinergji të plotë edhe Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre nëpërmjet sigurisht figurave të tyre përkatëse, janë në një proces për të shtyrë përpara çeljen e negociatave zyrtarisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Rama.

Kjo sinergji amerikane u dëshmua nje nate me pare kur Ndihmës Sekretarja  Amerikane e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Karen Donfried në Tiranë takoi me komisionerin e zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi.

“Ata ranë dakord se pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent. Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Top Channel