Plagosi punëtorin e ndërtimit se e shqetësonte zhurma, Gjykata lë në burg 35-vjeçarin në Durrës

28/04/2022 12:57

Arrest në burg për 35-vjeçarin që plagosi punëtorin e ndërtimit pas një sherri banal për zhurmat.

Gjykata e Durrësit ka vendosur sot masën e sigurisë ”arrest në burg” për autorin e dyshuar të plagosjes që ndodhi 2 ditë më parë në lagjen ”Sefer Efendiu” të Durrësit.

Ka qenë një zënkë banale e tij me 3 punëtorët, babë e bir, që ishin pajtuar për të kryer punime ndërtimi në banesën që ndodhej pranë pallatit ku banonte Augert Zera. Sherri mes palëve ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit ku i plagosur në këmbë mbeti shtetasi Altin Sulku 43 vjeç. Së bashku me të atin dhe vëllain ai po punonte prej disa ditësh në punime ndërtimi në një shtëpi banimi.

Debati për zhurmat që krijoheshin gjatë punës, por dhe zërin e lartë të punëtorëve ka përfunduar me plagosjen e njërit. I dyshuari që u largua nga vendi i ngjarjes u kap disa orë më pas nga policia. Ditën e sotme ai ka dalë para gjykatës që vleftësoi të ligjshëm arrestimin e tij dhe e la në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Top Channel