“Sundim i ligjit dhe zhvillim ekonomik”, Abazoviç prezanton programin e punës së Qeverisë së re

26/04/2022 15:29

Shtylla kyçe të Qeverisë së re të Malit të Zi do të jenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, tha mandatari për kryeministër, Dritan Abazoviç, në ekspozenë e dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi.

 

Qeveria e re e këtij vendi pritet të zgjidhet në një seancë parlamentare, që do të mbahet më 28 prill në Cetinë.

Atë pritet ta përbëjnë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Qeveria e re pritet të ketë 46 deputetë, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Qeveria pritet të ketë mbështetje parlamentare edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq.

Por, ajo kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar.

Në ekspozenë e Abazoviçit thuhet se në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re, është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet evropiane.

Regjistrimi i popullsisë shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik ai nuk është çështje statistikore, por çështje e regjistrimit kombëtar dhe fetar.

Në fushën e prioriteteve të politikës së jashtme, Abazoviç përmend formimin e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, me qëllim të, siç thuhet, koordinimit dhe komunikimit më të mirë me strukturën negociatore të BE-së.

“Unë besoj se Mali i Zi mund të kërkojë një pranim të përshpejtuar [në BE] dhe se me vendime urgjente, por të mençura, mund të bëhet anëtar i plotë së shpejti”, tha Abazoviç.

Në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij përmendet edhe marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, pastaj Ligji për origjinën e pronës, reforma zgjedhore, rishikimi i gjendjes aktuale në arsim dhe kulturë, e të tjera.

Abazoviç është propozuar për kryeministër të Qeverisë së re të Malit të Zi më 3 mars, nga presidenti i këtij vendi, Millo Gjukanoviç.

Paraprakisht, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së deriatëhershme ka kaluar në Kuvend me votat e URA-s së Abazoviçit dhe të opozitës së udhëhequr nga DPS-ja e Gjukanoviqit.

Qeveria e rrëzuar, e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.

Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në në opozitë pas tri dekadash.

Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime./rel

Top Channel