3 gëzhoja pistolete, një seri pamjesh nga kamerat e sigurisë në zonë si edhe automjetin e autorit të dyshuar janë të vetmet prova që policia e Korçës ka në dorë për të zbardhur plagosjen e Joan Muçlarit mbrëmjen e së hënës në Pogradec.
Top Channel ka mësuar se 22 vjeçari Joan Mucllari i cili mbeti i plagosur me një plumb në këmbë dhe një plagë nga mjet prerës në qafë ka bashkëpunuar me policinë. I riu ka thënë se pasditen e së hënës ka qenë duke lëvizur me makinën e tij kur është përballur me Firdeus Berberin, me të cilin ka pasur konflikte më herët dhe janë sharë me fjalë.
Më pas janë ritakuar disa minuta më vonë dhe janë konfliktuar fizikisht ku sherri degjeneroi në përdorimin e armëve. 22 vjeçari ka identifikuar personat që e sulmuan ishin Firdeus Berberin dhe Griseld Maxheri dhe dëshmia e tij përputhej me pamjet e kamerave të sigurisë. Në bazë të provave policia shpalli në kërkim autorët e dyshuar dhe vuri në pranga 5 miqtë e tyre të cilët rezultojnë të kenë ndihmuar autorët të largohen nga vendi i ngjarjes pasi braktisën makinën e tyre.
Ata akuzohen për moskallzim krimi, veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe përkrahje të autorëve. Konflikti mes Joan Muçllarit dhe familjes së Firdeus Berberit ka nisur që prej 2019 dhe që prej asaj kohe ka pasur disa ngjarje kriminale si djegie makine, kërcënime, sulm me armë zjarri drejt hotel “Volorekës” dhe së fundmi plagosja.
Për këtë arsye Agjensia e Mbrotjes policore ka çelur një hetim për veprimet e policisë të Pogradecit për të parë nëse kanë qenë konform ligjit.
Top Channel