“Ishte e frikshme, mos i ndodhtë kujt”, thonë banorët e Stolacit, epiqendra e tërmetit me magnitudë 5.7 që goditi mbrëmjen e së premtes Bosnjën jugore.

Luhatjet e tokës u ndjenë në të gjithë Ballkanin, ndërsa banorët  rrëfyen frikën që përjetuan në ato momente, shumica  e tyre e kaluan natën nëpër makina.

27 vjeçarja Elmira Sefo e cila u plagos, kur një gur ra në shtëpinë e saj, ndërroi jetë në spital, thanë burime mjekësore të cituara nga mediat.

Portali lokal “Stolac.com” ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një foto të viktimës Elmira me mesazhin “Mëshirë për shpirtin tënd të bukur”.

Disa persona të tjerë janë lënduar lehtë, mes tyre edhe anëtarë të familjes së viktimës. Tërmeti  rrëzoi mure e shkaktoi dëme materiale në disa lokalitete të tjera, duke përfshirë Mostarin dhe qytetin e Ljubinjes, sipas autoriteteve vendore dhe të mbrojtjes civile.

Tërmeti ishte i cekët dhe epiqendra u regjistrua 14 kilometra në verilindje të Ljubinjes, sipas shërbimit Gjeologjik të SHBA.

Ai është deri në Beograd, Zagreb dhe Shkup, më shumë se 400 kilometra nga epiqendra, por lëkundje të forta toke pati edhe në vendin tonë e madje deri në Italinë Jugore. Tërmeti u pasua nga disa pasgoditje më të dobët, të cilat sipas qendrës Sizmologjike Europiane-Mesdhetare “ka të ngjarë të vazhdojnë edhe në orët dhe ditët në vijim”.

Ballkani është i prirur ndaj aktivitetit sizmik dhe tërmetet janë të shpeshta. Ai i djeshmi risolli në kujtesë tërmetin e 26 nëntorit 2019, të cilin magnituda 6.4 e bëri më të fuqishmin që godiste vendin në katër dekada.

51 vetë humbën jetën prej tij e mbi 3.000 të tjerë u plagosën, ndërsa një numër i madh banesash u shkatërruan apo dëmtuan. Dëmet më të mëdha ishin  në qytetin e Durrësit dhe fshatin  e Kodër-Thumanës, të cilat ndodheshin më afër epiqendrës së tërmetit.

Dhjetorin e një viti më vonë, një tërmet i të njëjtës magnitudë goditi rajonin Petrinja të Kroacisë, pranë kryeqytetit Zagreb, ku vrau shtatë persona dhe shkatërroi qindra ndërtesa dhe shtëpi. Në marsin e po atij viti, ishte Zagrebi që u godit nga një tërmet 5.3 i cili shkaktoi dëme të mëdha.

Top Channel