Jo rrallë herë në aksidente të rënda rrugore me pasojë jetën e qytetarëve kanë qenë shkaktarë drejtues mjetesh që kanë qenë nën efektin e drogës.
Për të parandaluar ngjarje të tilla policia rrugore e Tiranës po ushtron kontrolle për të larguar nga rruga përdoruesit e drogës. Tashmë ata nuk identifikohen nëpërmjet analizave të gjakut, por me një pajisje drogëtestuese të quajtur Aquila scanner.
A ke përdorur apo jo drogë dhe a po e drejton mjetin nen efektin e narkotikeve? Këtyre dyshimeve të policisë u jep përgjigje nga 3 deri në 5 minuta një pajisje e posatshme drogëmatëse e cila po përdoret rishtas nga policia rrugore në kryeqytet. Përpos dragerit që kontrollon te dehurit në timon, verifikimi më i ri po kryhet kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe mesnatës. Gerard Baka, specialist I transportit urban në policinë rrugore të Tiranës tregon se ky kontroll kryhet vetëm kur patrullave policore ka dyshime.
“Ky kontroll do rrisë sigurinë jo vetëm të drejtuesve por edhe të këmbësorëve. Ne kontrollin e bëjmë vetëm në rastin kur kemi dyshime mbi sjelljen e drejtuesit të automjetit nëse ai del i droguar arrestohet.” -u shpreh Gerard Baka, specialist.
Pak muaj më parë një i ri në gjendje të droguar u arrestua në sheshin Skënderbej. Ngjarja ndodhi ditën e zgjedhjeve. I riu udhëtoi me një automjet personal nga Kombinati deri në qendër dhe në gjendje të pandërgjegjshme nën efektin e narkotikëve rrezikoi jetën e disa këmbësorëve që po shëtisnin. Ai u neutralizua nga një sportist që zotëronte artet marciale dhe më pas u prangos.
Top Channel