‘Rrethohet’ Kruja! Kontrolle për kultivimin e lëndëve narkotike, 10 grupe të FNSH-së me dronë dhe kamera

22/04/2022 09:53

Kontrolle masive janë zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Krujës, me qëllim parandalimin e lëndëve narkotike.

Kontrollet po kryen më anë të 10 grupeve të FNSH Tiranë dhe Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shetit, ndërsa për kontrollin po përdoren dronë, kamera dhe mjete të tjera që iu shërbejnë punonjësve të Policisë, për të kontrolluar sa më mirë territorin.

Gjithashtu, në zonat me risk, në kontrolle janë përfshirë edhe forcat operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në këtë kuadër, prej 72 orësh ka nisur kontrolli masiv i territorit të rrethit Krujë.    Gjatë 3 ditëve të fundit janë kontrolluar 250 sera, 56 shtëpi të braktisura, tunele, territor i pyllëzuar, sipërfaqe publike dhe shtetërore.

Gjatë kontrolleve në fshatin Fushë Thumanë, Njësia Administrative Thumanë, në territor publik janë gjetur në një serë, 400 kubikë të kultivuar me fidanë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit, ndërsa një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të këtij rasti.

Policia e Shtetit është e vendosur për të parandaluar dhe luftuar me zero tolerancë këtë fenomen dhe apelon për banorët që të mos ndërmarrin iniciativa për të ushtruar veprimtari kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, pasi do të përballen me ligjin.

Top Channel