Moti i keq ka përfshirë ditën e sotme të gjithë Gjirin e Durrësit, ndërsa pritet që kushtet atmosferike në bregdet dhe ujërat detare të keqësohen më tej gjatë mesditës duke bërë të pamundur lundrimet për mjetet e vogla, veçanërisht motopeshkatoret.

Tragetet, në të dyja anët e Adriatikut, janë nisur para orarit të parashikuar për të siguruar mbërritjen në kohë në portet e Durrësit dhe të Barit.

Mëngjesin e sotëm dy tragetet nga Bari kanë mbërritur në terminal, ndërkohë që trageti i Ankonës është nisur në drejtim të Durrësit vetëm mëngjesin e sotëm.

Një ditë më parë për shkak të detit të trazuar porti italian i Ankonës pati pezulluar plotësisht lundrimet në pritje të qetësimit të situatës. Trageti i nisur rreth orës 05.00 të mëngjesit të sotëm pritet të mbërrijë afërsisht rreth orës 03.00 të ditës së shtunë në portin e Durrësit, ku Kapiteneria ka dhënë udhëzimet e duhura për të gjithë operatorët dhe lundruesit.

Situata detare është më e përkeqësuar në Gjirin e Durrësit ku forca e detit arrin në 5-6 ballë, ndërsa në det të hapur, sipas burimeve nga kapiteneria portuale, paraqitet më e qetë.

Era që fryn në drejtim juglindje pritet të qetësohet gjatë orëve të mbrëmjes duke mos shkaktuar probleme në dy tragetet e linjës Durrës-Bari që pritet të nisen në orën 23.00. Ndërkohë në port është ankoruar sërish kroccera “Bukuroshja e Adriatikut”.

Top Channel