Komisionit Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë këtë të enjte fletët e votimit për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në 90 qendra votimi në të gjashtë bashkitë.

Në orën 09:00 nis kqyrja e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore për qendrat e votimi për bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnjë dhe Rrogozhinë.

Për bashkinë e Vorës ku votimi dhe numërimi u bë në mënyrë elektronike, do të bëhet këqyrja e të gjithë qendrave të votimit (44 qendra votimi).

Verifikimi paszgjedhor konsiston në hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit, si dhe monitorimin dhe vlerësimin e funksionimit të pajisjeve të teknologjisë së informacionit, të përdorura në zgjedhjet e pjesshme për kryetar në 6 bashki të vendit. Qëllimi i këtij procesi është të verifikojë rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave, njofton KQZ.

Në 6 mars, u zhvilluan zgjedhjet në gjashtë bashkitë që kishin mbetur pa kryetar.

Partia Socialiste arrit të merrte pesë bashki nga gjashtë, ndërsa në Shkodër fitoi Bardh Spahia, pjesë e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” e Sali Berishës, LSI-së dhe PDK-së.

PD me në krye Lulzim Bashën jo vetëm nuk arriti të merrte asnjë bashki në këto zgjedhje, por u shpall forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Berishës.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën. Zgjedhjet e 6 marsit sollën përçarje brenda PD-së, ku më pas Basha dha dorëheqjen.

Fituesit e zgjedhjeve të 6 marsit në gjashtë bashki të vendit:

Vorë- Blerim Shera PS (8,431 vota)

Rrogozhinë- Edison Memolla PS (5,401 vota)

Lushnje- Eriselda Sefa PS (21,477 vota)

Dibër- Rrahim Spahiu PS (13,995 vota)

Durrës-  Emirjana Sako PS (38,991 vota)

Shkodër- Bardh Spahia, koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’ (19948 vota)

Top Channel