Pakistani dënon gjashtë njerëz me vdekje për linçimin e drejtuesit të fabrikës nga Sri Lanka për blasfemi (fotot)

21/04/2022 17:15

Gjashtë njerëz janë dënuar dje me vdekje dhe dhjetra të tjerë me burgim nga një gjykatë në Pakistan, për vrasjen publike të një drejtuesi fabrike nga Sri Lanka që ishte akuzuar për blasfemi.

Linçimi i Priyantha Kumara Diyawadana me akuza të pabaza blasfemie nga punonjës të fabrikës, kishte zemëruar shumë banorë të vendit.

Gjykata anti-terrorizëm në Lahore, e ngritur brenda një burgu të sigurisë së lartë, dha dënim me burgim të përjetshëm për nëntë njerëz, dhe dy vjet burgim për 72 të tjerë, sipas deklaratës së prokurorit publik, përcjellë nga rrjeti Al Jazeera.

Diyawadana u vra barbarisht nga punonjës të fabrikës në Sialkot në lindje të vendit dhjetorin e shkuar.

Çështja e basfemisë ka qenë gjithmonë delikate në Pakistan pasi çdo sugjerim për ofendime ndaj fesë islame mund të mbledhë protesta të mëdha dhe të nxise turmat të ekzekutojnë të akuzuarit, qoftë edhe pa prova konkrete.

Hafiz Israr ul Haq, avokati i një prej të dënuarve me vdekje e quajti verdiktin “të padrejtë”.

“Ky ishte një rast i dhunës nga turma dhe roli i asnjë individi nuk mund të përcaktohet me saktësi”, tha ai për rrjetin AFP.

Pak para vrasjes në kolektivin e fabrikës ishin përhapur fjalë se Diyawadana kishte hequr nga muri një poster fetar dhe e kishte hedhur në koshin e mbeturinave.

Pamje të rënda të masakrimit ishin shpërndarë në rrjetet sociale, ku turma e rrihte duke brohoritur kundër blasfemisë.

Kjo nuk është hera e parë e ngjarjeve të tilla teksa në 2017, turmat linçuan studentin e universitetit Mashal Khan kur u akuzua se kishte postuar përmbajtje blasfemike online.

Një çift ishin vrarë më herët në krahinën Punjab në 2014 kur u akuzuan në mënyrë të gënjeshtërt se kishin përdhosur librin e shenjtë të Kuranit.

FOTO GALERI
1/2
Linçimi i Priyantha Kumara Diyawadana me akuza të pabaza blasfemie nga punonjës të fabrikës, kishte zemëruar shumë banorë të vendit.

Top Channel