Opozita nuk do japë propozime për Presidentin? Sula: S’kemi fituar asgjë nga bojkotet!

21/04/2022 10:40

Deputeti Dash Sula i ka kërkuar Grupit Parlamentar të PD-së të japë propozimin për emrin e Presidentit, pasi thotë se “është parë që nga bojkotet nuk fitojmë asgjë”.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së që po drejtohet nga kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj, Sula ka kujtuar rastet kur opozita ka marrë vendimin për të bojkotuar disa procese dhe thotë se morali që kanë marrë është se kjo metodë nuk ka asnjë përfitim.

Unë nuk jam për të bojkotuar proceset. Është treguar se ne nuk kemi fituar asgjë nga bojkotet. Bojkotuam ne 2014 Reformën Territoriale dhe e pame sesi e beri Rama. Me pas bëtë çmendurinë kolektive që dogjët mandatet dhe sërish e patë se si përfunduam si opozitë. Bëtë sërish çmendurinë me zgjedhjet lokale dhe sërish u penalizuam. E pamë në 6 mars sa e vështirë është. Ne nuk përfitojmë asgjë nga bojkotet e proceseve”.

Çfarë na pengon neve deputetet e opozitës që me 28 firma të çojmë propozimin tonë në kuvend, është shprehur Sula më tej. Pastaj le t’i mbesë mazhorancës turpi i zgjedhjes.

Ndërsa komenteve të deputetëve se Presidenti është pa kompetenca dhe Rama e zgjedh vetë se i ka votat, deputeti u është përgjigjur: “Po ishte marrëveshja e 21 prill 2008 që e bëri presidentin pa kompetenca që unë së bashku me disa kolegë në atë kohë votuan kundër kësaj“.

Ftesën e kryeministrit Edi Rama drejtuar grupeve parlamentare dhe shoqërisë civile për të propozuar Presidentin e ri, Berisha e konsideron një farsë dhe për rrjedhojë thotë se një opozitar i vërtetë nuk duhet të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve sekrete.

“Ai që ndihet opozitar i vërtetë nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve sekrete. Kemi të bëjmë me një nënshtrim të opozitës që zhvillohet me email dhe zarfe sekrete vendos turpin e vetë. Është e tëra në funksion të Edi Ramës dhe ne të bëjmë se jemi pyetur. Ka rregull për të qenë opozitë e vërtetë dhe ka rregulla shumë të qarta. Kur ai deputetët e vet, i fut me zarfin sekret një metode mafioze, tipike, ne s’kemi punë me të. Cilido që mendon ndryshe bën lojën e tij. Ç’punë kemi ne. Në këtë mënyrë vetëm në shpellat e mafias veprohet kështu. Të kujton përrallat me sumbulla të sheikëve të sulltanëve. Po përdhoset institucioni i Presidencës dhe e shqiptarëve. Nuk ke besimin në asnjë hap të PD-së. Je në funksion të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës”, i është drejtuar Berisha Alibeajt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA