Në kërkim për grabitjen në Kamëz, arrestohet Elis Suçi. Sekuestrohen paratë e vjedhura në filialin e postës

20/04/2022 15:30

Ka zgjatur vetëm pak ditë arratia e grabitësit të dytë në filialin e postës shqiptare në Kamëz, Elis Suçi.

I riu ka rënë në pranga dy ditë pas grabitjes, ku me një pistoletë kërcënoi sportelisten në filialin e postës, duke i marrë paratë. Gazetarja Dorjana Bezat tha për Top Channel se të riut i janë sekuestruar edhe paratë e grabitura në filialin e postës.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Filiali” ndërsa policia tha se ka sekuestruar krahas shumës së parave të grabitura është gjetur gjithashtu edhe arma që dyshote të ketë përdorur 30 vjecari.

Falë pamjeve të kamerave të sigurisë në zone si edhe të dhënave operative, policia identifikoi dy autorët e grabitjes ndodhur mesditën e së hënës, Elis Suçin dhe mikun e tij Algert Kurtin të cilët jetonin në një pallat pak metra larg filialit të postës. Policia mundi të vërë në pranga vetëm 20-vjeçarin Algert Kurti i cili tha hetuesve se grabitjen e kishte bërë me mikun e tij Elis Sulçin.

Hetimet zbuluan se ideator për grabitjen ishte 30-vjeçari Elis Suçi, i cili është me precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjes dhe tashmë është shpallur në kërkim nga policia. 30-vjeçari ka vëzhguar postën kur aty dorëzoheshin paratë e pensioneve për banorët e zonës dhe ka ruajtur momentin kur në filial ka pasur vetëm punonjëset. Më pas, së bashku me mikun e tij, ka kryer grabitjen nën kërcënimin e një arme.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar celularin e të arrestuarit si edhe rrobat e përdorura nga ky i fundit në ngjarje por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të parave të vjedhura dhe të armës së zjarrit me të cilën u kanosën sportelistet e postës.

Top Channel