Qytetarët europianë, thirrje BE-së: Njiheni Ukrainën si vend kandidat

19/04/2022 16:25

Një peticion që i bën thirrje BE-së të njohë zyrtarisht Ukrainën si vend kandidat është firmosur tashmë nga 232.000 qytetarë në të gjithë Europën.

Peticioni u iniciua nga sipërmarrësi francez Arnaud Castaignet, Shef i Komunikimeve dhe Politikave në kompaninë Skeleton Technologies dhe promovohet nga Change.org, një platformë teknologjike për ndryshimet shoqërore të nxitura nga vetë njerëzit.

Në peticion, firmëtarët i bëjnë thirrje bashkëqytetarëve në shtetet anëtare të BE-së të krijojnë një valë mbështetjeje të gjerë për popullin ukrainas dhe të inkurajojnë krerët e tyre të shteteve dhe qeverive t’i japin Ukrainës statusin e vendit zyrtar kandidat, një hap vendimtar ky në procesin e anëtarësimit.

Përmes kësaj thirrjeje, ne duam t’u themi ukrainasve se i mbështesim dhe se, pavarësisht akteve të tmerrshme të kryera nga Vladimir Putin dhe ushtria e tij, për ta do të ketë një të ardhme. Dhe ne, ashtu si ata, duam që kjo e ardhme te jetë e lirë, europiane dhe në krahun tonë”, thuhet ne dokument.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ia dorëzoi një ditë më parë formularin për marrjen e statusit të vendit kandidat kreut të delegacionit të BE-së në Ukrainë, Mati Masikas.

“Kjo është një nga etapat kyçe për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe ambicia për të cilën populli ynë po lufton,” tha Zelensky, që shpreson se kjo përpjekje e Kievit do të finalizohet brenda disa javësh.

Marrja e statusit të vendit kandidat është një proces i gjatë zakonisht, sic e dëshmojnë dhe aplikimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një hap i parë vendimtar është opinioni i Komisionit Europian për aplikimin, me kërkesë të Këshillit Europian.

Vetëm kjo pjesë e procesit, nga ftesa për Komisionin tek hartimi i opinionit- mund të zgjasë deri në një vit ose më gjatë. Megjithatë gjatë vizitës së saj në Ukrainë, kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen premtoi përshpejtim të procedurave për vendin e traumatizuar nga lufta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA