Kreu i SHISH raporton te ‘Siguria’: Shtetet jo miqësore me Shqipërinë ‘të armatosur’ me dezinformim e sulme kibernetike me qëllime spiunazhi

19/04/2022 14:50

“Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik.” – konstatimi vjen nga kreu i shërbimit informativ, Helidon Bendo i cili raportoi sot në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë. Ndër të tjera Bendo tha se shtetet jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre.

“Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jokonvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”.- u shpreh Bendo.

Lidhur me situatën në rajon gjatë vitit 2021, drejtori i SHISH-it nënvizoi se është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete.

“Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”. – theksoi Bendo.

Top Channel