Dezinformimi përmes lajme të rreme në disa portale përfshi sulmet kibernetike, janë armët që po përdorin më së shumti vendet jo mike, që punojnë  kundra interesave të Shqipërisë e NATO-S.

Ky është konkluzioni i asaj çfarë tha Helidon Bendo kreu Shërbimit Informativ Shtetëror,  në një seancë me dyer të mbyllura në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.

Për herë të parë inteligjenca shqiptare ka ndarë me publikun një pjesë nga fjala e zotit Bendo në këtë komision.

Helidon Bendo: Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik.

Në kushtet e anonimatit dy anëtar të këtij komisioni parlamentar i thanë Top Channel,  se drejtori i SHISH ka përmendur në mënyrë specifike Rusinë dhe Kinën si të përfshira në operacione dizinformimi dhe sulme kibernetike. Po ashtu zoti Bendo citohet të ketë shprehur shqetësimin edhe për disa organizata jo qeveritare të sponsorizuara nga shërbime sekrete jo mike me Shqipërinë.

Helidon Bendo ka folur edhe për një tjetër rrezik në fushën e sigurisë.

Bendo: Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike.

Kreu i SHISH foli edhe për veprimtarinë destabilizuese të vendeve të treta në rajon.

Bendo: Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit.

Në mosmarrëveshjet ndërshtetërore janë përfshirë Maqedonia e Veriut me Bullgarinë si dhe Kosova me Serbinë.

Top Channel