Në mesin e shqetësimeve që ngjallën lajmet se Serbia po blen armë nga Kina, Beogradi zgjedh të përgjigjet me taktikën e vjetër: mbrojtja më e mirë është sulmi.

Ministri i brendshëm serb, Alexander Vulin është ankuar se furnizimi me armë i Kosovës sipas tij nga Britania e Madhe, përbën një hap jo miqësor kundrejt Serbisë. Përpara kësaj deklarate, Vecernje Novo-sti kishte raportuar se Anglia ka dërguar në Prishtinë sisteme Javellin e raketa anti-tank NLAW.

Sipas saj, ishin transferuar 50 njësi e priten edhe 20 të tjera. Mediat serbe thonë se presidenti Aleksandar Vuçiç do t’i kërkojë llogari Boris Johnsonit për këtë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. Raportime të tilla nuk janë konfirmuar nga autoritetet britanike e ato kosovare. Më herët, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se armatosja e Serbisë nga Kina, por dhe Rusia në dekadën e fundit, tregon se Beogradi nuk është “i interesuar për stabilitet dhe paqe” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Armatimi i Serbisë nuk po ndodh vetëm tani. Tani ka marr përmasa edhe shqetësuese, por siç e dini, në raport me Rusinë dhe Kinën, ata janë duke e rritur armatimin e tyre, minimum në dhjetë vjetët e fundit dhe kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë, por tregon se akoma dëshiron të shkaktojë destabilitet, edhe e ndikuar nga Rusia, satelit i së cilës Serbia është”, tha Osmani. Agjencia ruse e lajmeve TASS, raporton sakaq se Serbia do të vazhdojë ta mbajë të hapur zonën e shërbimit ajror me Rusinë.

Duke cituar Vuçiç, TASS shkruan se “Serbia ruan shërbimin ajror me Rusinë, pavarësisht kërcënimit të rremë me bombë që vjen nga Ukraina çdo ditë. “Ne vazhdojmë fluturimet sepse duam të tregojmë se jemi një vend i lirë dhe i marrim vetë vendimet tona”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA