Papa Françesku udhëhoqi procesionin e rrugës së Kryqit rreth Koloseut të premten e mirë, një ngjarje e rëndësishme për besimtarët katolikë. Rituali u zhvillua sipas traditës për herë të parë, dy vite pas pandemisë kur ishte mbajtur me vetëm pak njerëz në sheshin e Shën Pjetrit.

Gjatë Rrugës së Kryqit, kryqi u mbajt nëpër 14 stacione nga familje të ndryshme dhe në stacionin e trembëdhjetë u mbajt nga një ruse dhe një ukrainase në shenjë pajtimi.
Dy gratë – shoqe dhe të dyja infermiere në Romë – mbajtën kryqin me shpresën e pashuar të paqes dhe pajtimit.

“Zot na drejto në rrugën e paqes. Frymëzoji kundërshtarët të shtrëngojnë duart dhe të shijojnë faljen reciproke. Çarmatos dorën e vëllait të ngritur kundër vëllait, aty ku ka urrejtje të lulëzojë pajtimi.”

Të dielën e Pashkëve, ditën më të rëndësishme në kalendarin liturgjik të krishterë, papa do të mbajë meshën në sheshin e Shën Pjetrit dhe më pas do të japë mesazhin dhe bekimin e tij “Urbi et Orbi” .

Top Channel