Përmbi dy orë, ish-deputeti socialist Alqi Bllako u pyet nga SPAK për procedurën e dhënies me koncension të inceneratorit të Fierit, një çështje që i kushtoi atij jo vetëm mandatin, por edhe lirinë.

Bllako, sipas burimeve të Top Channel, ka këmbëngulur se si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në atë kohë, nuk ka pasur funksion vendimmarrës, por vetëm përcjellës shkresash. Ish-zyrtari ia ka deleguar përgjegjësinë anëtarëve të komisionit që ishte ngritur jo vetëm për të kryer, por edhe për të ndjekur procedurën e shpronësimit të tokës.

Të njëjtin version përsëriti në përfundim të marrjes në pyetje edhe avokati i tij.

Për akuzën se punësoi të atin në kantier duke përvetësuar shumat korruptive, Bllako e ka hedhur poshtë qëndrimin e SPAK. Kjo dëshmi do të administrohet në fashikull deklaron SPAK.

A do kemi një Alqi Bllako të penduar?

Avokati: Të penduar ? Për çfarë?

Pas kësaj përballjeje, i dyti që del para prokurorëve është eprori i tij, Lefter Koka, i cili është transferuar nga paraburgimi në Tiranë drejt një institucioni penitenciar pranë familjarëve në Durrës.

Edhe Lefter Koka. ndaj të cilit ka dy masa sigurie të arrestit me burg, do të pyetet për inceneratorin e Fierit.

Top Channel