Gjykata e Posaçme kthen për hetime të mëtejshme në SPAK dosjen e ish gjyqtarit Fatos Lulo

13/04/2022 12:49

Gjykata e Posaçme ktheu për hetime të mëtejshme pranë SPAK dosjen e gjykimit ndaj ish-gjyqtarit kushtetues, Fatos Lulo.

Burime i thanë Anila Hoxhës se gjyqtarja paraprake Flora Hajredinaj deklaroi se hetimi është me të meta të mëdha.

SPAK kishte dorëzuar në gjykatë kërkesë për gjykim ndaj ish gjyqtarit Fatos Lulo, deklaroi Anila Hoxha, për akuzën  e deklarimit të rremë,  neni 257 fraksion A fraksion dy. Por gjyqtarja paraprake e ktheu dosjen dhe nuk pranoi ta gjykojë në themel.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo është emër i njohur në sistemin e drejtësisë, i cili është eliminuar nga Vettingu në shkallën e parë dhe të dytë për shkak të vendimeve  të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin.

Një ndër to është edhe ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt SHBA-së. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar Rrapon, i cili do të gjykohej në Shtetet e Bashkuara për vrasje. Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega. Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vite e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.

Më 28 prill, SPAK vendosi sekuestrimin e një dyqani me sipërfaqe 172 m2, në rrugën e Durrësit në Tiranë në pronësi të tij.

Dyshohet se ai ka kryer deklarim të rremë, sipas gjykatës së antikorrupsionit, sa i takon dyqanit, pasi kjo pasuri fiktivisht është deklaruar si dhuratë nga një e afërme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA