Ankesa për prishjen e banesave/ Reagimi nga banorët e Laprakës dhe Paskuqanit që preken nga Unaza e Madhe

13/04/2022 19:52

Banorët e Laprakës dhe Paskuqanit ende po përballen me problematika që lidhen me prishjen e banesave që preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Këtë të mërkurë, një përfaqësi e tyre trokitën në dyert e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Arsyeja thonë ata është presioni që u është bërë nga ana e inspektorëve.

Mua s’më intereson politika, shqip dhe shkurt mua mos të më vijnë të më bëjnë presion prishe shtëpinë ose të fus 20 milionë lekë gjobë ose me të vinë të më prishin shtëpinë pa më dhënë dëmshpërblim sepse unë kam zbatuar ligjet e shtetit kam bërë deklarimin sikur e kanë kërkuar këto. Duke e marrë këta me dallavere nuk kanë ardhur për të bërë letrat e shtëpisë, 17 vite kam që kam dorëzuar letrat”, thotë Shkumbin Hasani, banor i Laprakës.

Një prej banorëve të Laprakës  thotë se ka marrë kërcënime nga shteti për faktin se ka dalë në protesta.

 “100 kërcënime më kanë ardhur mua personalisht, kam edhe mesazhet në telefon që më kanë ardhur. Ka numër telefoni nuk e di, nga shteti se nga kush kanë për të më ardhur, unë me shtetin po kapem, s’po kapem me qytetarët, nga shteti. Mos dil në protestë, mos merr pjesë në protestë”, thotë Hasani.

Banorët u pritën nga zv.kryeinspektori i IKMT Guri Seferi, i cili u tha se në vijim inspektorët do të paraqiten me dokumentacionin e plotë.

“Edhe zoti Seferi ishte i ndërgjegjshëm që kjo nuk është ana ligjore që ndjek institucioni ku ai bën pjesë. Inspektorët që kanë qenë në terren konfirmohet që janë në sheklje të plotë të ligjit dhe morëm garanci nga zoti Seferi që ata inspektorë nuk do të jenë më ne terren dhe herën tjetër që do vijnë do jenë të pajisur me letra, me të gjithë dokumentacion e plotë”, shprehet Marku.

Nga projekti i Unazës së Madhe preken në total 654 banesa, nga të cilat vetëm një pjesë janë të legalizuara. Edhe më herët banorët kanë ngritur shqetësimin se projekti ka devijim, ç’ka rrit numrin e godinave që do të prishen.

Top Channel