Kampet naziste/ Ekspozitë në Durrës, flasin pasardhësit e të mbijetuarve

08/04/2022 12:27

Ndërsa bota po përballet me luftën në Ukrainë, në muzeun arkeologjik të Durrësit u hap ekspozita mbi “Fatet e të mbijetuarve në Mathauzen”. Përmes fotove, dokumenteve dhe dëshmive hidhet dritë mbi pasojat e luftës dhe historitë njerëzore të shqiptarëve që u dërguan në kampet naziste të shfarosjes. 

Stefan Konduri ishte një nga të mbijetuarit e kampit famëkeq të Mathauzenit që u arrestua me qindra shqiptarë të tjerë në Durrës, në nëntorin e vitit 1943, dhe u detyrua të digjte në krematorium shokët e tij, disa të vdekur e të tjerë gjysëm të gjallë.

Edhe Faslli Cekaj, pasardhës i një prej të mbijetuarve të kampit famëkeq kujton nga rrëfimet e të atit që doli i gjallë pas arratisjes, ndërsa thotë se kujtesa është forma më e mirë për t’u mbrojtur dhe mos përsëritur historinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 prill në Durrës. Historia e dëshmuar në të është jo vetëm kujtesë dhe nderim për ata që nuk janë më, po dhe një thirrje për të mos e përsëritur historinë. Është një reflektim mbi pasojat e luftës edhe nevojën për paqe në një botë të trazuar nga konfliktet dhe së fundmi të tronditur thellë nga lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj.

 

Top Channel