Me rimarrjen nën kontroll nga forcat ukrainase, në disa zona nga ku janë tërhequr trupat ruse po dalin në pah mizori, si nuk janë parë në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Masakra e Buchas që tronditi të gjithë botën, nuk ishte e vetmja. Ekzekutime civilësh po raportohen dhe në Borodianka, ku po ashtu janë gjetur trupa të pajetë me duart të lidhura pas shpine. Borodianka, një fshat i vogël, numëronte rreth 13 mijë banorë përpara luftës, por shumë prej tyre janë larguar pas pushtimit, ndërsa pak godina kanë mbetur në këmbë pas bombardimeve dhe sulmeve shkatërruese ajrore ruse.
Si për të dëshmuar edhe një herë brutalitetin e luftës në Ukrainë, NYT konfirmoi vërtetësinë e një videoje të filmuar me dron, e cila tregon sesi një tank rus hap zjarr mbi një burrë që po kalonte në rruge me biçikletë, pamje të ngjashme këto me ekzekutimet gjakftohta me snajper gjatë rrethimit të Sarajevës 3 dekada më parë.
Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia kërkon t’i kthejë ukrainasit në skllevër të heshtur të saj. “Njerëzit po qëllohen për vdekje nëpër rrugë, në shtëpitë e tyre thjesht për kënaqësinë e ushtarëve rusë, po hidhen në puse e po shtypen me tanke”, tha ai duke folur për krime të tmerrshme, ndërsa këmbënguli për një gjykim ndërkombëtar si ai i gjyqeve të Nurembergut pas Luftës së Dytë dhe për largimin e Rusisë nga ky organizëm.
Na duhen vendime prej Këshillit të Sigurimit me qëllimin të arrihet paqja në Ukraine, nëse nuk dini si ti merrni këto vendime, mund të bëni dy gjëra: Ose ta largoni Rusinë si vend agresor, ose të shpërbëheni e të punoni për paqen.
Ushtria ruse dhe ata që kanë dhënë urdhrat duhet të dalin menjëherë përpara drejtësisë për krimet në Ukrainë, të dalin përpara një gjykatë të ngjashme me atë të Nurembergut.
Gjashtë trupa të djegur të vendosur mbi njëri-tjetrin ishin duke u hetuar të martën në qytetin Bucha, në rrethinat e Kievit, ku pas largimit të forcave ruse kanë dalë në pah prova rrënqethëse për vrasje dhe torturime.
Një nga kufomat ishte më e vogël se të tjerat, ndoshta e një fëmije, tha Andrii Nebytov, kreu i policisë në rajonin e Kievit. Zyrtarë ukrainas thonë se edhe më shumë se 400 persona rezultojnë të zhdukur në Hostomel, mendohet se shumica janë rrëmbyer nga trupat ruse ndoshta për t`u ekzekutuar diku tjetër sepse trupa të pajetë banorësh të Hostmelit janë gjetur edhe në Bucha e Irpin.
Top Channel