Të rinjtë në tkurrje, numri i nxënësve në arsimin 9 -vjeçar ra me 3% këtë vit shkollor

06/04/2022 09:19

Emigracioni i lartë dhe rënia e lindshmërisë po tkurr me shpejtësi popullsisë e re në moshë dhe për rrjedhoje po pakëson numrin e nxënësve në shkolla.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.

Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin parauniversitar 453.989 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,5%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 72.384 fëmijë, 1,5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 278.138 nxënës, 55,4% në arsimin fillor dhe 44,6% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2020-21, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 2,9% më pak nxënës.

Në vitin shkollor 2021-22, 90,3% e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 9,7% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,7% të totalit.

Arsimi i mesëm ulje me 4.2% të numrit të nxënësve

Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin e mesëm 103.467 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,2%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në vitin 2021-22, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,3%. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (86,6 %).

Në vitin shkollor 2021-22, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.400, ndër të cilët 76,7% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,1 dhe në atë privat është 14,6. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,5 dhe në atë privat 7,3. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.658 prej të cilëve 69,2% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,8 në arsimin publik dhe 8,3 në atë privat.

Numri i studentëve rritet me 1%

Në vitin akademik 2021-22, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123.880 studentë, duke shënuar një rritje prej 0,1% krahasuar me 2020-21. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 76,3% të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-22, marrin pjesë 73.493 studente femra, ose 59,3% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë. Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 72.852 studentë duke shënuar një ulje prej 2,1% krahasuar me 2020-21. Në vitin akademik 2021-22, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët duket të preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,2% e numrit gjithsej të studentëve.

Rritet interesi për studime në inxhinieri dhe mjekësi

Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, vërehet ulje e numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 19,9% dhe “Arte dhe shkenca humane” me 13,1%. Nga ana tjetër, fushat “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” dhe “Shëndet dhe mirëqenie” paraqesin rritje të numrit të studentëve me përkatësisht 9,8% dhe 4,4%./ Monitor

Top Channel