Një shkollë e re 9-vjeçare po ndërtohet në zonën e njohur si Medreseja, në Rrugën e Dibrës.
Në truallin e ish-ndërtesës së vjetër të UKT-së, po ndërtohet godina që pritet të hapet në shtator.
“Këtë shtator hapim një buqetë shkollash të reja. Këtu më parë ka qenë godina e vjetër e UKT-së, në të cilën po ndërtojmë një shkollë pranë zonës së Medresesë. Me mundësinë që na dha rindërtimi pas tërmetit, sot kemi një shkollë të re këtu, një tjetër në fillim të “Rrugës së Dibrës”, kurse te kthesa e parë në rrugën “Siri Kodra” kemi një shkollë tjetër. Pra, me këto 3 shkolla të reja praktikisht zgjidhet i gjithë segmenti i “Rrugës së Dibrës”, që është një nga zonat jo vetëm më të vjetra, por edhe më të populluara të Tiranës, që do të vazhdojë të rritet”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Veliaj theksoi se shumë shpejt do të shtohen edhe 10 shkolla të tjera, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se ndërtimi i institucioneve të reja arsimore ka rritur vlerën e pronës së qytetarëve. “Shumë shtëpi qerpiçi ia lënë vendin një zhvillimi të ri, ky zhvillim sjell familje të reja dhe një nga arsyet pse është rritur vlera e pronës në Tiranë, është se kanë edhe shkollën shumë afër. Jemi sot në rreth 40 shkolla të reja, por do kemi edhe një paketë me 10 shkolla të reja këtë vit. Ne do debatojmë, se në këtë vend nuk ecet pa bërë politikë, por të paktën nuk do debatojmë më për mësimin me dy turne. Fillojmë tani tek gjimnazi “Partizani”, do të hapim “Sami Frashërin” këtë pranverë, dhe bëhemi gati për vitin shkollor”, deklaroi Veliaj.
Veliaj garantoi edhe banorët e prekur nga tërmeti se pavarësisht lëvizjes së çmimeve, premtimi do të mbahet edhe për ta. Ai nënvizoi se kantieret e shumta infrastrukturore në kryeqytet janë kthyer edhe në gjenerues të vendeve të punës.
Projekti i shkollës së re parashikon ndërtimin e një godine 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë e pajisur me laboratorë dhe me terrene sportive.
Top Channel