Shkëndijat politike kanë filluar të ndizen në raport me zgjedhjen e presidentit të Republikës. Javën e shkuar, Sali Berisha deklaroi publikisht se nuk do të votohet asnjë kandidaturë e propozuar ose e ardhur nga PS duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë dhe një lloj dialogu.

Por sot ka reagim nga grupimi për Rithemelimi i PD se do të flasin për cështjen e zgjedhjes së presidentit. Ndërkohë këtë javë do të mbahet Asambleja e PS dhe më pas në fundjavë, më 9 prill mbledhin dhe Kongresin e tyre.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin ishte e ftuar në “Top Talk” ku foli për qëndrimet e Berishës duke qenë se kryeministri ka deleguar Elisa Spiropalin, Taulant Ballën dhe Damian Gjiknurin për këtë proces.

Dyrnjaja: Ju keni këmbyer dhe një replikë në rrjetet sociale për qëndrimet e Sali Berishës që thotë se nuk do të ketë negociata me ju. Po negocioni me demokratët dhe me cilën palë?

Spiropali: Sali Berisha po vetëpërjashtohet nga një proces ku as është i ftuar, as ka për të qenë i ftuar. Gjithë procesi kushtetues parashikon negociata dhe diskutime me grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë dhe më gjerë. Nuk e kuptoj as reagimin e grupit të Rithemelimit, as të Berishës në këtë rast, por si duket, problemet mes tyre po duan t’i transferojnë tani. Në këtë pikë që jemi, nuk kemi bërë takim me Alibeajn. Patjetër që grupi negociator takohet për të përcaktuar kalendarin tonë të brendshëm të takimeve, kalendarin e Kuvendit, ka disa kritere dhe procese kushtetuese që ne do i respektojmë, por të vetëpërjashtuarit mund të bëjnë deklarata sa të duan, ashtu sic dëgjova zotin Berisha që deklaronte se sa kohë të ishte ky Sekretar Shteti nuk do t’i vizitonte SHBA, ndërkohë që SHBA ia kanë vënë kufirin dhe nuk mund t’i vizitojë sepse është non grata. Deklarata të tilla janë për të qeshur por edhe për të qarë sepse na tregojnë gjendjen reale të opozitës shqiptare.

Ndër të tjera, ministrja Spiropali e cilësoi Berishën si sovjetikun e fundit teksa komentonte reformën në Drejtësi që nuk kursen as zyrtarë të lartë, as deputetë apo ministra.

Spiropali: Ne kemi zgjedhur as të komentojmë as të mbrojmë, por të veprojmë kur drejtësia flet. Ama e kemi të qartë edhe se një njeri nuk mund të shpallet i fajshëm pa folur drejtësia. Ka të drejtë të hetohet, të mos lincohet. Në këto vite të reformimit në drejtësi kemi shembuj se drejtësia e re nuk kanë asnjë hezitim për të hetuar zyrtarë të lartë. Ky është ndryshim procedurash. Pandëshkueshmëria ishte normë, jo përjashtim. Sot zyrtarë të lartë, deputetë e ministra mund të hetohen, ama duhet respektuar parimi se nuk mund të shpallin fajtor nga foltoret. Kemi dhe sovjetikun e fundit që po bën betejat e tij politike…

Dyrnjaja: E keni për Putin?

Spiropali: E kemi një më të vogël në Shqipëri dhe fryma e tij është ende mbizotëruese në Foltore, brenda dhe jashtë Kuvendit. Këtë frymë duhet ta zhbëjmë.

Top Channel