Në qytetin jugor të Odesës është raportuar për shpërthime. Ky qytet është sulmuar me raketa dhe ka raportime për zjarre në disa zona, tha këshilli i qytetit përmes një postimi online.
Ndërkaq, Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës, u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në strehimore.
Duke folur për transmetuesin publik ukrainas, ai tha se një prej “ndërtesave të infrastrukturës kritike” është goditur.
Ndër të tjera, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia dëshiron të marrë kontrollin e rajoneve lindore dhe jugore ukrainase.
Në një video-adresim ai tha se “cili është qëllimi i trupave ruse? Ata dëshirojnë të marrin edhe Donbasin [në lindje] dhe jugun e Ukrainës”.
“Cili është qëllimi ynë? Të mbrojmë veten, lirinë tonë, tokën tonë dhe njerëzit tanë”, tha Zelensky.
Ai lavdëroi forcat ukrainase për mbrojtjen e qytetit të rrethuar të Mariupolit, i cili është shkatërruar pothuajse tërësisht nga bombardimet ruse.
Rezistenca ukrainase në Mariupol dhe në qytete të tjera të Ukrainës i ka lejuar Kievit të “fitojë kohë të çmuar” dhe të dobësojë aftësitë ushtarake të Rusisë, tha Zelensky.
Më herët gjatë kësaj jave, Rusia ka njoftuar se do të zvogëlonte “në mënyrë drastike” operacionet luftarake përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, dhe në qytetin verior të Çernihivit dhe të përqendrohet në rajonet lindore ukrainase.
Top Channel