Historia e 11-vjeçarit me autizëm: Po bëj librin e dytë, pas 30 vitesh e shoh veten ekonomist në bankë

03/04/2022 10:09

2 Prilli është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit mbi Autizmin. Ne do të sjellim historinë e Jamarbërit, djalit 11 vjeç me autizëm. Ai ka një tërheqje për televizionet dhe logot e tyre dhe këtë e tregon që në fillim.

Jamarbër Hoxha: Top Channel udhëhiqet nga e vërteta, sepse ashtu e keni bërë juve. Është demokratike, sepse është njësh, është në sky (qiell). Libri i parë që kam shkruar ishte me 121 poezi titulluar “AuvernaMon” (Lulëkuqja). Unë tani jam duke lexuar “Ditarin e Gregut”. Unë nuk mbaj më ditar, se i shkruaj poezitë e mia. Mund të recitoj diçka nga Lasgush Poradeci që jam duke e lexuar:

“Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë, shuhet bota.”

Ëndrra ime është të punoj, të shkoj nëpër vende përrallore dhe të vizitoj qytete të huaja. Tek një shok apo një shoqe unë kërkoj të bëhemi miq dhe t’i reduktojmë stereotipet. Mua më pranojnë të tjerët siç jam, ashtu si dhe unë i pranoj ata siç janë. Pas 30 vjetësh unë e shikoj veten duke punuar ekonomist në bankë. Paraja është fituese dhe fitimprurëse. Libri i radhës titullohet “Djaloshi autik” dhe do të përmbajë tregime nga jeta ime, jo e të tjerëve. Unë jam formula më unike e gjithë fëmijëve me autizëm.

Kujtim Hoxha: Nuk duhet një ditë në vit për t’u sensibilizuar për autizmin. Mua ajo që më bën përshtypje është se ka politikanë e deputetë, që kanë lidhje të drejtpërdrejta me autizmin. Kanë fëmijën, ose nipin apo mbesën dhe në parlament nuk flasin asnjë fjalë për autizmin.

Top Channel