Trupat ruse janë tërhequr nga aeroporti i Hostomelit, në afërsi të Kiev, që ka qenë zonë luftimesh të ashpra që prej fillimit të konfliktit, tregojnë të dhënat e inteligjencës britanike, sipas të cilave forcat ukrainas kanë vazhduar avancimin e tyre rreth Kievit dhe përgjatë akseve lindore, kanë rimarrë nën kontroll disa fshatra.
Hostomeli ka qenë skenë luftimesh të ashpra që prej 24 shkurtit, kur parashutistë rusë u dërguan atje për të marrë aeroportin e rëndësishëm që strehon dhe një bazë ushtarake, si pikë strategjike për ofensivën e tyre. Volodymir Zelensky e pohoi dhe ai këtë mëngjes se trupat ruse po tërhiqen nga veriu.
“Trupat e Moskës po largohen me një ritëm të ngadaltë, por të dukshëm. Beteja të vështira mund të na presin megjithatë në lindje të vendit, rreth Donbasit e Kharkivit. Rusët po grumbullohen e po përgatiten për goditje të reja të fuqishme. Nuk mund të mendojmë se i kemi kaluar tashmë të gjitha testet“, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas i paralajmëroi liderët pro-rusë të vendosur në qytetet e pushtuara se nuk do të qëndrojnë dot gjatë në postet e tyre.“Mesazhi im për ta është shumë i thjeshtë: përgjegjësia për bashkëpunim është e pashmangshme, dhe i tillë është dhe fakti që drejtësia do të vihet në vend”.
Sipas Zelenskyt, Moska po i kërcënon punëtorët e ndërmarrjeve dhe autoritetet në mënyrë që të bashkëpunojnë me ta. Kremlini po i mëshon idesë se objektivi i tij kryesor gjithmonë ka qenë Ukraina lindore, por Instituti i Luftës e konsideron këtë një gënjeshtër, që synon sipas tij, të fshehë dështimin e pjesës së parë të fushatës ushtarake ruse.
Operacionet kryesore ruse tani janë të përqendruara në lindje të Ukrainës, ku dëshiron të marrë të gjithë rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut. Nuk përjashtohet mundësia që Moska të marrë Mariupolin në ditët në vijim, por ajo po vazhdon që të pësojë humbje.
Top Channel