Stuhia e fortë e erës, plagosen rëndë dy të rinj në Kuçovë

31/03/2022 16:03

Dy ngjarje të rënda aksidentale kanë ndodhur si pasojë e stuhisë së erës në Kuçovë këtë të enjte, ku janë plagosur një djalë 26 vjeç dhe një 17-vjeçare.

Dy të rinjtë ndodhen në Spitalin Rajonal Berat në gjendje të rëndë.

Djali i cili ishte duke punuar për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi të tij, ka rënë nga soleta e shtëpisë nga era e fortë.

Rrëzimi nga një lartësi rreth tre metër i ka shkaktuar të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës fraktura dhe shembje në të gjithë trupin.

Majkëll Vrapi është gjetur pa ndjenja në tokë dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat. Ai aktualisht ndodhet në sallën e operacionit në Repartin e Kirurgjisë, ndërkohë që mjekët deklarojnë se gjendja e tij është e rëndë.

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të Spitalit të Kuçovës. Si pasojë e stuhisë së fortë, një depozitë uji është shkëputur nga çatia dhe ka rënë sipër një vajze 17 vjeç, e cila  ishte duke kaluar në rrugë.

Vajza me inicialet S.K, është ngritur nga kalimtarët e rastit dhe është dërguar në spital. Edhe 17-vjeçarja ndodhet në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po ekzaminohet nga mjekët. Ajo është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse me fraktura dhe plagë të shumta.

Top Channel