Fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit/ Emiriana Sako bëri sot betimin para Këshillit Bashkiak

31/03/2022 15:52

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako bëri sot betimin para këshillit bashkiak, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Më parë, me një vendim të datës 18 mars, gjykata e Durrësit kishte vërtetuar vlefshmërinë e mandatit të saj.

Betimi i kryebashkiakes Sako i parapriu rendit të ditës së mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak të Durrësit, këshill i konstituuar që në verën e vitit 2019, pas zgjedhjeve lokale.

Kryebashkiakja e Durrësit Sako, pasi bëri betimin dhe e nënshkroi atë, në fjalën e saj përshëndetëse falenderoi qytetarët që e votuan dhe e konsideroi drejtimin e bashkisë së dytë në vend, si një privilegj dhe përgjegjësi të madhe dhe premtoi se do t’i shkojë deri në fund angazhimeve të marra përsipër dhe që do të sjellin transformimin e qytetit.

Ajo theksoi se përparësi do të jetë vijimi i programit të rindërtimit, ashtu si dhe në dy vitet e fundit kur ajo ka drejtuar bashkinë e Durrësit si e emëruar në këtë detyrë, pas dorëheqjes së kryetares Valbona Sako që fitoi mandatin në vitin 2019, pas tre mandatesh të Vangjush Dakos. Që nga viti 2000 bashkia e Durrësit drejtohet nga socialistët.

Vitet e fundit Durrësi është përballur me një sërë sfidash, si emergjenca mjedisore, tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia.

Top Channel