Nafta ulet sërish, por rritet çmimi i gazit në 116 lekë

29/03/2022 19:51

Ulja e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare është reflektuar me rënie të lehtë edhe në tregun vendas.

Sipas vendimit të Bordit të Transparencës nafta do të shitet për 237 lekë litri, nga 245 lekë që ishte. Edhe benzina është ulur dhe shitet për 218 lekë litri.

E kundërta ka ndodhur me gazin që është shtrenjtuar më tej në nivele rekord 116 lekë litri, duke u rritur me 6 lekë brenda 4 ditëve.

Këto çmime të fiksuara do të jenë të vlefshme deri të enjten më 31 mars, në mbledhjen e radhës së bordit që do t’i rishikojë sërish.

Aktualisht në tregjet ndërkombëtare nafta po shfaq trend rënës duke zbritur nën 110 dollarë për fuçi, pasi qëndroi për gati një javë në kuotën e 120 dollarë, si rrjedhojë e shqetësimit të tregtarëve për një ndërprerje të mundshme të zinxhirit të furnizimit si pasojë e tensioneve të rritura nga lufta Rusi-Ukrainë.

Me gjithë rënien e lehtë këtë të martë, sërish çmimi i naftës në vend mbetet ndër më të lartat në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Bosnjë Hercegovinës që llogarisin një litër naftë poshtë 1.7 euro.

Luhatjet në tregjet ndërkombëtare po i bëjnë të paqëndrueshme çmimet edhe në tregun vendas, ku tashmë së fundmi vala e shtrenjtimit ka përfshirë edhe gazin.

Por çmimi i tij mund të rritet edhe më tej për konsumatorët dhe jo për shkak te krizës në tregje. Në korrikun e ardhshëm pritet të hyjë në fuqi edhe ligji për akcizën e gazit 6 lekë për litër për të gjitha përdorimet nga konsumatorët, përfshirë atë për ngrohje e për gatim.

Aktualisht, sot kjo taksë paguhet vetëm për gazin që përdoret për automjetet në 8 lekë për litër. Vendosja e kësaj takse të unifikuar në 6 lekë pritet të rrisë më tej kostot për konsumatorët pasi edhe kjo taksë do të shkarkohet te qytetarët në çmimin final që do të paguajnë për blerjen e tij. Për shkak të kësaj mase buxheti prej zbatimit të saj pritet të arkëtojë rreth 3 milionë euro. te gjitha nga paratë e konsumatorëve.

Top Channel