Vdes në moshën 50-vjeçare Taylor Hawkins, bateristi i grupit amerikan të rrokut Foo Fighters (fotot)

26/03/2022 15:28

Policia kolumbiane njoftoi sot se bateristi i grupit legjendar ‘Foo Fighters’, Taylor Hawkins ka humbur jetën mbrëmë në një dhomë hoteli nga një atak kardiak në kryeqytetin Bogota teksa shtonin se vdekja mund të ketë lidhje me përdorimin e drogave.

Raportimet vendase thonin se stafi i hotelit kishte njoftuar shërbime e emergjencës pasi Hawkins nisi të vuante nga dhimbje të forta gjoksi por kur mbërriti ndihma muzikanti kishte vdekur.

Hawkins, baba i dy fëmijëve adoleshentë, kishte diskutuar më parë varësinë nga drogat dhe katër vjet pas bashkimit me Foo Fighters, në 2001 kishte përfunduar në spital nga një overdozë.

Pak pas vdekjes së Hawkins dhjetra fansa dhe gazetarë nisën të mblidheshin pranë hotelit ku ai po qëndronte, të shokuar nga lajmi. Disa prej tyre ndiznin qirinj.

Ambulancat dhe makinat e policisë shiheshin jashtë hotelit teksa trupi i Hawkins nxirrej jashtë me kamionin e mjekësisë ligjore.

Hawkins, i martuar me gruan Alison dhe baba i dy fëmijëve Oliver e Annabelle, sapo kishte kompletuar një turne muzikor në Amerikën Jugore.

Hawkins ishte bashkuar me grupin në 1997 pas albumit të dytë të grupit, ‘The Colour and the Shape’.

Para se të luante me Foo Fighters, Hawkins luante në bateri për Alanis Morissette teksa ishte rekrutuar më pas nga lideri Dave Grohl – ish-bateristi i grupit Nirvana.

Grohl formoi grupin e tij të dytë muzikor Foo Fighters në vitin 1994 disa muaj pas vdekjes së liderit të  Nirvana, Kurt Cobain, i cili vrau veten.

Pas vetëvrasjes së Cobain në prill, Grohl fillimisht u tërhoq nga bota muzikore por në tetor ai paraqiti shënimet e një albumi me 15 pjesë muzikore që kishte shkruar gjatë kohës së izolimit.

Me ardhjen e Hawkins në 1997, Foo Fighters arritën sukses në skenën e rrokut alternativ duke mbushur rregullisht salla e stadiume.

FOTO GALERI
2/9
Pak pas vdekjes së Hawkins dhjetra fansa dhe gazetarë nisën të mblidheshin pranë hotelit ku ai po qëndronte

Top Channel