Shërbimet amerikane të inteligjencës thonë se në ditë të caktuara po dështojnë deri në 60% e raketave ruse me sisteme drejtimi të preçizionit të lartë.

Tre zyrtarë amerikanë në dijeni të të dhënave të zbulimit e bënë këtë pohim për Reuters. Një informacion i tillë mund të ndihmojë të shpjegohet se përse Rusia nuk i ka arritur objektivat bazë që nga fillimi i sulmit të saj një muaj më parë, si p.sh. neutralizimin e forcave ajrore të Ukrainës, pavarësisht fuqisë së dukshme të ushtrisë së saj kundër forcave të armatosura me përmasa shumë më të vogla të vendit fqinj.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët nuk dhanë prova për të mbështetur këtë vlerësim dhe nuk bënë të ditur se çfarë saktësisht po shkaktonte shkallën e lartë të dështimit të raketave ruse. Agjensia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikonte në mënyrë të pavarur shifrat, ndërsa Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Mendohet se një shkallë kaq e lartë dështimi mund të përfshijë çdo gjë, nga difektet në lëshim e deri tek raketat që nuk shpërthejnë në goditje. Pentagoni vlerëson se Rusia ka lëshuar më shumë se 1100 raketa të të gjitha llojeve që nga fillimi i luftës.

 

Top Channel