Politikani opozitar rus Alexey Navalny është shpallur fajtor për mashtrim, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass. Kështu, atij mund t’i shtohet edhe një dekadë në dënimin me burgim, që po vuan

“Navalny ka kryer vjedhje të pronës së dikujt me mashtrim”, tha gjyqtarja Margarita Kotova në shpalljen e vendimit, shkruan TASS.

Prokurorët kanë kërkuar dënim me burgim për 13 vjet.

Politikani opozitar rus i burgosur, Aleksei Navalny, gjatë ditëve të fundit ka bërë thirrje për protesta kundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska.

Maniaku i çmendur Putin do të ndalohet më shpejt nga populli i Rusisë nëse ata kundërshtojnë luftën”, është shprehur kritiku më i zëshëm i Kremlinit.

Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, duke shënuar sulmin më të madh ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Moska thotë se Ukraina përbën një kërcënim për sigurinë e saj.

Navalny tha se që nga ajo kohë, “propaganda e Putinit” ka fshehur shkallën e viktimave dhe ka gënjyer për arsyen e luftës dhe shkatërrimin që ajo po u bën të dy vendeve.

Procedura penale kundër Navalnyt filloi më shumë se një vit më parë.

Sipas hetuesve, ai vodhi rreth 350 milionë rubla (rreth 4.5 milionë dollarë) të akorduara si donacion për Fondacionin Kundër Korrupsionit, i cili ka statusin e një agjenti të huaj në shteti rus dhe konsiderohet një organizatë ekstremiste.

Ai u ndalua pasi u kthye nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u shëruar nga helmimi me një agjent nervor për të cilin fajësohej Kremlini, ndërsa autoritetet ruse mohuan çdo përfshirje në këtë rast.

Top Channel