Afganët po largohen/ Në mesnatë u larguan 212 refugjatë që jetonin në Shëngjin

22/03/2022 15:23

Shqipëria fund-gushtin e shkuar  hapi dyert e saj në emër të humanizmit duke strehuar mbi 3.000 qytetarë afganë duke i shpëtuar represionit të talebanëve që morën nën kontroll Afganistanit. 

Ky veprim i qeverisë shqiptare mori falënderime dhe vlerësime prej administratës të SHBA.

Fillimisht miqtë afganë u strehuan në qytetin studenti  në Tiranë e më pas në një kompleks hotelesh në Shëngjin të Lezhës.

Pas shtatë muaj qëndrimi në vendin tonë, qytetarët afganë janë duke u zhvendosur për të vijuar jetën e tyre të re në SHBA.

Nën masa të forta sigurie mesnatën e të hënës, në aeroportin Nënë Tereza përmes një avioni charter lanë Shqipërinë 212 qytetarë afganë. Pak përpara largimit shefja diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka tha se  sot miqtë tanë po ikin, duke shprehur shpresën se po largohen  me një kujtim të mirë për këtë vend, për Shqipërinë, për njerëzit e saj.

“Më kujtohet sikur të ishte vetëm pak ditë më parë kur erdhët dhe ju pritëm për herë të parë në këtë vend.  Më duhet të them, se sot kam ndjenja vërtet të përziera, nga njëra anë, jam shumë e lumtur për secilin prej jush, e di se kjo është ajo që ju keni dashur, që kjo është ajo që keni ëndërruar dhe  jam shumë e lumtur që kjo ëndërr u realizua dhe në një farë mase, ajo u realizua edhe më shpejt nga sa guxuam të shpresonim”, tha Xhaçka. 

Ambasadorja Yuri Kim  e cila bashkë me kryeministrin Rama udhëhoqën operacionit e sjelljes së afganëve në Shqipëri u shpreh se “ne jemi të lumtur që askush nga ne nuk u dorëzua.

“Nuk do ta harroj kurrë natën kur ju mbërritët këtu dhe erdhët gjatë disa netëve njëra pas tjetrës. Ishte një moment i ndritshëm në ato ditë të errëta. Ishim vërtet të nderuar që ishim në gjendje t’ju ndihmonim në një mënyrë, sado të vogël, për ta kaluar këtë periudhë shumë të vështirë. Shqipëria, siç e dini, ishte vendi i parë që u ngrit dhe tha: Ne do të ndihmojmë. Dyert tona janë të hapura. Ejani tek ne. Në emër të të gjithë amerikanëve, dëshiroj t’ju uroj një udhëtim të sigurt në shtëpinë tuaj të re dhe në të ardhmen tuaj të re”, tha Kim.

Shëngjini edhe për pak kohë do të vijojë të  jetë vendstrehimi afganëve të mbetur atje. Krahas Amerikës, disa të tjerë do shkojnë në Kanada.

“Po, unë kam aplikuar dhe do të shkoj në Kanada pas 15 ditësh. Shqipëria është shumë mirë. Patëm një eksperiencë shumë të mirë, ka kohë të bukur e njerëz të mrekullueshëm. Unë i dua shqiptarët”, tha M.Taqi Safari.

Mikpritjes shqiptare të këtyre qytetarëve afgan do tja lërë vendin ajo e pritjes së ukrainasve në nevojë për një strehë të sigurt, gjë të cilën Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA