Rritja e çmimeve të drithërave dhe plehrave mund të shkaktojë një krizë globale ushqimore

21/03/2022 18:56

Pushtimi ushtarak rus i Ukrainës ka reduktuar ndjeshëm sasinë e grurit dhe elbit, dy prej drithërave më të rëndësishme për prodhimet ushqimore, por ka rritur ndjeshëm edhe çmimet e nënprodukteve të tyre, duke provokuar një krizë ushqimore tek të varfrit.

Ukraina është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të grurit, ndërsa Rusia prodhon një pjesë të konsiderueshme të plehrave kimike, të cilët në këtë fazë nuk mund të eksportojnë për shkak të sanksioneve të ashpra ekonomike të vendosura nga Perëndimi.

Zvogëlimi i drithërave dhe plehrave u reflektua në tregjet globale shumë shpejt.

Rreth një muaj pas fillimit të pushtimit, çmimi i elbit është rritur me 33 për qind, ai i grurit me 21 për qind dhe i shumë llojeve të plehrave me 40 për qind.

Reduktimi i prodhimit, i shkaktuar nga lufta, i kombinuar me sasinë e reduktuar të plehrave, për shkak të sanksioneve, mund të ketë një ndikim të fortë në nivel global, veçanërisht duke përkeqësuar kushtet e jetesës tek popullsia e varfër, të cilët edhe më para konfliktit kishin vështirësi në ushqyerje.

Gjatë pesë viteve të fundit, vetëm Ukraina dhe Rusia kanë plotësuar 30 për qind të eksporteve botërore të grurit, 32 për qind të eksporteve të elbit dhe 75 për qind të eksporteve të farave të lulediellit. Vaji i prodhuar nga ky i fundit është në shumë vende bazë për pjesën më të madhe të ushqimit të prodhuar në mënyrë industriale apo për gatimet në shtëpi.

Ndërsa Rusia nuk është në gjendje të eksportojë për shkak të sanksioneve ekonomike, Ukraina nuk është në gjendje të sjellë një pjesë të madhe të produkteve të saj jashtë vendit për shkak të bllokadës ruse të porteve të saj kryesore në Detin e Zi.

Lufta gjithashtu ka bërë që transporti i lëndëve të para ushqimore përmes linjave hekurudhore të jetë edhe më i vështirë. Komplikuar është bërë edhe eksporti me rrugë tokësore drejt vendeve që kufizojnë Ukrainën në perëndim.

Shqetësimet nuk lidhen vetëm me mundësitë e eksportit, por edhe me atë të korrjes.

Në Ukrainë është gjithnjë e më e vështirë për të gjetur karburant, i cili është thelbësor për të vendosur në punë makineritë bujqësore për mirëmbajtjen e arave dhe korrjeve.

Pjesa më e madhe e karburantit ishte përcaktuar për automjetet ushtarake të ushtrisë ukrainase. Për këtë arsye, javët e fundit, qeveria ukrainase i ka kërkuar vendeve evropiane që ta ndihmojnë në furnizimin me karburant për mjetet bujqësore që mund të shërbejnë në ato zona të vendit që ende nuk janë prekur nga pushtimi ushtarak rus.

Megjithatë, për sa kohë që pushtimi rus përparon, ekziston rreziku që një e treta e sipërfaqes së kultivuar në Ukrainë të shndërrohet në një zonë lufte, duke e bërë krejtësisht të pamundur rritjen e drithërave dhe lëndëve të tjera të para.

Në mesin e miliona njerëzve që kërkojnë të largohen drejt zonave apo vendeve të sigurta, si brenda vendit ashtu edhe në shtetet fqinje, ka edhe fermerë të shumtë, të cilët për këtë arsye nuk do punojnë për të korrat e ardhshme.

Sasia e pakët e eksporteve të drithërave nga Ukraina po i detyron tregtarët t’i drejtohen vendeve të tjera, të cilat do të përballen me kërkesa shumë më të larta se normalja, duke mos pasur mundësi t’u përgjigjen të gjithave. Këtyre vështirësive u shtohen edhe ato që lidhen me kushtet atmosferike, të cilat gjithmonë ndikojnë në kapacitetet prodhuese të disa vendeve.

Përmbytjet në një pjesë të Kinës vitin e kaluar bënë që prodhimi i grurit në vend të jetë i pamjaftueshëm për këtë vit, si rezultat Kina do jetë e detyruar për të blerë grurë nga jashtë me qëllimin për të plotësuar nevojat e brendshme.

Gjithashtu, sasia e pakët e plehrave kimike në treg do të ketë pasoja të mëtejshme në prodhimin bujqësor në botë. Në muajt e fundit, shumë prodhues evropianë kishin reduktuar aktivitetin e tyre për shkak të çmimit të lartë të energjisë, pasi prodhimi i plehrave konsumon një sasi të madhe energjie.

Në Rusi, prodhimi i plehrave kimike nuk pësoi rënie për shkak të sasisë së madhe të naftës dhe gazit që shërben për prodhimin e energjisë elektrike, por me vendosjen e sanksioneve të reja, industria është detyruar të ulë prodhimin e tyre. Nisur nga kjo gjendje, çmimi i plehrave kimike është rritur gradualisht, duke i nxitur fermerët të reduktojnë sasinë e përdorimit të tyre.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP), i cili merret me ndihmën ushqimore, ka vlerësuar se pushtimi ushtarak i Ukrainës do të çojë në uri deri në 13 milionë njerëz të tjerë, duke përkeqësuar një situatë tashmë të vështirësuar nga efektet e pandemisë së koronavirusit. Para vitit 2020, problemi prekte afërsisht 720 milionë njerëz në mbarë botën, tani vlerësohet se prek të paktën 811 milionë persona.

Drejtori ekzekutiv i WFP, David M. Beasley tha se pushtimi i Ukrainës “thjesht vendosi një katastrofë mbi një katastrofë tjetër”, duke theksuar se nuk ka asnjë ngjarje të krahasueshme me këtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Programi i Ushqimit i OKB-së ushqen afërsisht 125 milionë njerëz çdo ditë, por që është përballur me një rritje të kostove prej rreth 70 milionë dollarë vetëm në muajt e fundit.

Top Channel