Shpërthim i fuqishëm në fabrikën e lëndëve plasëse në Greqi, dyshohet për tre viktima

21/03/2022 10:30

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Itea të Grevenasë, në një fabrikë që prodhon lëndë plasëse.

Sipas informacioneve paraprake të paktën dy persona janë plagosur dhe tre rezultojnë të zhdukur, ndërsa në fabrikë punonin 30 vetë.

Në vendngjarje kanë shkuar 11 zjarrfikës me 4 automjete, si dhe dy grupe të ekipit të emergjencave EMAK.

Sipas dëshmive të para, shpërthimi ishte aq i madh sa gurët e mureve apo  copa betoni dhe hekura nga ambientet e fabrikës janë hedhur në një distancë prej 300 metrash dhe është ndjerë deri në një distancë prej 30 km, ndërsa një re e madhe tymi është ngritur qindra metra mbi tokë.

I pyetur për fatin e të zhdukurve pas shpërthimit, oficeri i shërbimit zjarrfikës që ka shkuar në vendngjarje ka sqaruar se “jo të gjithë prej punëtorëve që punonin, kishin shkuar në atë orë në fabrikë”, ndërsa ka shtuar se “për fat të keq mesazhet janë të pakëndshme, janë gjetur copa mishi pranë vendit të shpërthimit”. Dy nga të zhdukurit janë nga Grevena dhe një nga Kozani.

Për të plagosurit thuhet se është larguar nga vendngjarja një roje që ndodhej në gjendje shoku”. Sipas njoftimit të zjarrfikësve, deri tani nuk ka ndotje mjedisi.

Nënkryetari i Shërbimeve Teknike të Bashkisë së Grevenasë, Christos Trigonis, ka deklaruar se ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit, i cili sipas tij, jo vetëm rrafshoi fabrikën, por edhe e shkatërroi krejtësisht. Burime nga komuna e Grevenasë theksuan se gjithë vengjarja është izoluar  për arsye sigurie në një distancë prej dy kilometrash.

Fabrika i përket kompanisë ELTEK e cila është themeluar në vitin 2010 me seli në Agalaio të Komunës së Grevenës dhe shtrihej në një sipërfaqe private prej 100 hektarësh me 14 objekte industriale, disa prej tyre nën tokë për arsye sigurie, depo me një kapacitet total prej 700 ton lëndë të parë dhe 200 ton eksploziv.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel