Do mbylleshin pas tre vitesh/ Belgjika vendos që dy reaktorët bërthamorë të funksionojnë edhe për 10 vite të tjera

21/03/2022 12:43

Rreziku i një krize energjetike për shkak të luftës në Ukrainë, ka detyruar qeverinë e Belgjikës të shtyjë planin për mbylljen e dy reaktorëve bërthamorë, të cilët duhej të ishin çmontuar deri në vitin 2025.

Reaktorët ndodhen në dy termocentrale që aktualisht vazhdojnë të jenë aktiv, Doel dhe Tihange. Në një deklaratë për mediat, qeveria tha “se kishte vendosur të shtyjë mbylljen e reaktorëve Doel 4 dhe Tihange 3 me dhjetë vjet, duke pretenduar se kjo është masa e nevojshme për të forcuar pavarësinë e vendit nga lëndët djegëse, duke marrë parasysh edhe kontekstin gjeopolitik”.

Dhjetorin e kaluar, ndërsa nuk hoqi dorë plotësisht nga energjia bërthamore, qeveria belge njoftoi se të shtatë reaktorët në dy termocentralët bërthamorë do të mbylleshin deri në fund të vitit 2025.

Megjithatë, në një deklaratë të fundit, ajo njoftoi se planet e reja nuk përjashtojnë energjinë e rinovueshme.

Qeveria belge ka parashikuar të investojë 1.1 miliardë euro që do të derdhen për kalimin drejt të ashtuquajturit “neutraliteti i karbonit”, falë energjisë së erës, diellit dhe hidrogjenit “të gjelbër”, dmth, hidrogjenit të prodhuar nga burime të rinovueshme.

Në të njëjtën kohë, 25 milionë euro në vit, do të investohen gjatë katër viteve të ardhshme për të financuar kërkimin mbi termocentralet e vogla bërthamore.

Top Channel