Shtëpia e Bardhë: Biden nuk do të udhëtojë drejt Ukrainës këtë javë

20/03/2022 17:18

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se presidenti amerikan Joe Biden “nuk ka plane” të udhëtojë drejt Ukrainës, pasi do të zhvillojë në Europë mbledhje urgjente për shkak të luftës.

Joe Biden u ka kërkuar shteteve të mbështesin Ukrainën në këto ditë të vështira pasi agresioni rus nuk ka reshtur për 25 ditë.

“Udhëtimi do të përqendrohet në vazhdimin e thirrjes për mbështetje të popullit ukrainas dhe kundër pushtimit të Ukrainës nga presidenti Putin, por nuk ka plane për të udhëtuar në Ukrainë”, tha ajo në një postim në Twitter.

Më përpara ambasadorja e SHBA-së në OKB,  Linda Thomas-Greenfield tha për CNN se Joe Biden mund të vizitojë Ukrainën këtë javë.

Sipas ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko vizita e Bidenit në Ukrainë do të ishte një “simbol i solidaritetit”.

Ai shtoi se Biden ishte një “miku im shumë i mirë dhe një mik shumë i mirë i Ukrainës”, duke theksuar se një vizitë e presidentit amerikan do të ishte “një hap jashtëzakonisht i drejtë për të demonstruar se e gjithë bota është së bashku me ne kundër Rusisë.”

Presidenti i Amerikës ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i luftës duke e konsideruar Rusinë fajtore, ndërsa së fundmi ka thënë se Putin ka kryer krime lufte.

Top Channel