Të paktën 6 persona kanë humbur jetën në Belgjikë pasi një makinë iu drejtua me shpejtësi një turme njerëzish.

Ngjarja ndodhi në qytetin e vogël Strépy-Bracquegnies, rreth  50 km në jug të kryeqytetit Bruksel.

Makina raportohet se u përplas me shpejtësi në një grup njerëzish që po përgatisnin një paradë karnavalesh të dielën.

“Kemi disa dhjetëra të plagosur dhe për fat të keq disa njerëz të vrarë”, tha kryetari i bashkisë së qytetit Jacques Gobert për radiostacionin RTBF.

Të paktën 12 persona raportohet se janë lënduar rëndë pas aksidentit. Sipas policisë, personat që ishin në makinë janë arrestuar.

Rrethanat e incidentit nuk janë ende të qarta, ndërsa po hetohet edhe pista e një sulmi terrorist.

Ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden tha se ajo që supozohej të ishte një festë e madhe u kthye në një tragjedi.

 

 

Top Channel