Greqia kërkon gaz në Jon/ Rifillojnë kërkimet për të zëvendësuar furnizimet ruse

20/03/2022 19:55

Qeveria greke ka deklaruar se do të përshpejtojë ,programet e eksplorimit dhe shfrytëzimit të rezervave të gazit natyror në rajonet perëndimore dhe jugperëndimore të Kretës dhe detit Jon, të cilat tashmë u janë dhënë kompanive Total, ExxonMobil dhe Hellenic Petroleum.

Sulmi rus në Ukrainë dhe riorganizimi i politikës energjetike të BE-së, me qëllim mosvarësinë sa më të shpejtë nga gazi rus, krijojnë një mjedis të ri për investime në fushën e hidrokarbureve, pasi kompanitë dhe qeveritë vlerësojnë se boshllëku që rezulton nuk mund të zëvendësohet në afat të gjatë vetëm nga gazi i lëngshëm (LNG) që sjellin cisternat amerikane apo dhe disa shtete të tjera.

Rifillimi i një strategjie të re sipas Athinës zyrtare përmban kërkime dhe shpime eksploruese për rreth 2.5 vjet me vlerë gati 150 mln dollarë në këto tre zona, ku depozitat e mundshme të gazit vlerësohen në një shumë  prej 250 miliardë euro që mund të mbulojë kapacitetet e vendit për me shumë se 10 vjet,deri në kalimin e fazës së teknologjive energjetike të gjelbra.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që gazjellësi TAP dyfishon kapacitetin e tij vitin që vjen ,ndërsa bëhet me dije se prej 10 miliardë metrave kub që çon në Europë , 8.5 furnizojnë vetëm Italinë, duke kontribuar ndjeshëm në sigurinë energjetike. Në të njëjtën kohë, ka një aktivitet të ngjashëm edhe tek zonat ZEE të Qipros dhe Izraelit.

Ndërsa vetëm dy muaj më parë pas një non paper drejtuar qeverive te Greqise, Qipros dhe Izrelit, SHBA shprehën dyshime për efektivitetin e gazsjellësit  East Med ,tashmë duket se ai përsëri rivjen në tryezën e projekteve gjigante që do të ndihmojnë Europën të mos jetë e varur nga gazi rus.

Top Channel