Stërvitja e NATO-s, vdesin katër ushtarë amerikanë pas rrëzimit të avionit në Norvegji

19/03/2022 13:23

Katër ushtarë amerikanë humbën jetën pas rrëzimit të një avioni gjatë stërvitjeve të NATO-s.

Këto stërvitje nuk ishin të lidhura me luftën në Ukrainë, sqaroi kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre.

Store shkroi në Twitter se rrëzimi ndodhi mbrëmjen e së premtes e tha se mbi incidentin, kanë nisur menjëherë hetime. “Ushtarët po merrnin pjesë në stërvitjet e NATO-s të quajtura ‘Përgjigja e Ftohtë’”, tha kryeministri ndërsa shprehur ngushëllimet për familjarët e tyre.

Avioni i tipit V-22B Osprey i përkiste marinës amerikane, theksuan forcat e armatosura norvegjeze.“Ai kishte në bord katër pjesëtarë dhe u nis në një mision stërvitor në qarkun Nordland” në veri të Norvegjisë. Ulja ishte parashikuar të ndodhte para orës 18:00 të premten, por mjeti u rrëzua në jug të qytetit Bodo.

Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkaq në orët e para të së shtunës, autoritetet konfirmuan vdekjen e katër pjesëtarëve te ekuipazhit. Stërvitjet e përvitshme ushtarake të NATO-s në Norvegji nuk janë të lidhura me Ukrainën.

Këtë vit, në manovrat ushtarake marrin pjesë rreth 30.000 trupa, 220 avionë dhe 50 anije nga 27 vende. Edhe dy shtete nuk janë pjesë e NATO-s, Finlanda dhe Suedia po ashtu po marrin pjesë në këto stërvitje.

Top Channel