“Kush vë zilen në qafën e tigrit…”/ Kina refuzon ndërmjetësimin mes Rusisë e Ukrainës

19/03/2022 12:33

Atij që e vuri zilen në qafën e tigrit, i takon detyra ta heqë: kjo ishte një nga shprehjet e përdorura nga Xi Jingping gjatë takimit virtual me presidentin amerikan, Joe Biden, e mbajtur në kohën kur të gjithë pyesin se çfarë roli ka Kina në tragjedinë e Ukrainës.

Presidenti kinez përdori një proverb të vjetër për të treguar se sipas tij, janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja ato që duhet të diskutojnë me Rusinë për zgjidhjen e krizës.

Nga ana e Pekinit nuk pati asnjë premtim se do të ndërmjetësojë mes palëve në konflikt, e as ndonjë deklaratë që të dënonte veprimet e Vladimir Putin, të cilin presidenti amerikan Joe Biden e cilësoi disa ditë më parë si kriminel lufte. “Ne nuk duam të shohim këtë lloj krize në Ukrainë”, ishte komenti i Xi.

Ministria e Jashtme e Kinës nxori më pas një transkript të video-bisedës, duke dënuar “konfliktin dhe konfrontimin” si “në interesin e askujt”, pa fajësuar drejtpërdrejtë Rusinë. Në gati dy orë bisedë, Biden në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur se “Kina duhet të qëndrojë në anën e drejtë të historisë”, që do të thotë të mos i ndihmojnë rusët në “agresionin e tyre brutal, nëse nuk do që të ketë pasoja të rënda, jo vetëm amerikane, por edhe botërore.

Prej ditësh, Shtëpia e Bardhë i paralajmëron kinezët të mos i japin Putinit rrugëdalje nga sanksionet ekonomike, dhe të mos pranojnë kërkesën e tij për pajisje ushtarake. Presidenti Biden ia detajoi qartë homologut kinez implikimet e mundshme për Pekinin në rast se ndihmon Moskën, por zyrtarët amerikanë nuk pranuan të zbërthejnë publikisht se çfarë do të ishin këto pasoja. Biden gjithashtu kritikoi veprimet provokuese të Kinës në ngushticën e Tajvanit.

Në ditët pasi Putini futi forcat ruse në Ukrainë, qeveria e zotit Xi u përpoq të distancohej nga ofensiva e Rusisë, por shmangu kritikën ndaj Moskës. Në momente të tjera, veprimet e Pekinit kanë qenë provokuese dhe kanë përfshirë forcimin e pretendimeve të paverifikuara ruse se Ukraina drejton laboratorë të armëve kimike dhe biologjike me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Top Channel