“Kush mbjell uri, do korrë revoltë”! Protestë kundër rritjes së çmimeve, lajmërohet qëndrimi 24 orë

19/03/2022 12:30

Kjo e shtunë shënoi protestën e tetë qytetare kundër rritjes së çmimeve në Tiranë. Sot është lajmëruar qëndrimi 24 orë në protestë, nëse qeveria nuk merr masat e duhura për të plotësuar kërkesat e tyre.  

Përveç pankartave, një pjesë e qytetarëve u panë me flamurin e Ukrainës në dorë. Sipas tyre kjo ishte një përgjigje ndaj “arrogancës së kryeministrit”. Ata thanë se sensibilizimi me luftën që po zhvillohet atje, nuk do të thotë që mos të ngrihen për të drejtat e tyre.

Protesta nisi nga sheshi “Skënderbej” ku qytetarët u mblodhën për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë dhe për të bërë aty gjithë thirrjet e tyre.

Aktivisti Adriatik Lapaj duke folur në protestën kombëtare para Kryeministrisë ka renditur dhe kërkesat që kanë qytetarët për qeverinë, për të ndalur rritjen e çmimeve. Ai i ka kërkuar bashkëprotestuesve “t’i mbajmë nën preson për të realizuar kërkesat tona dinjitoze”.

Kjo është një protestë për dinjitetin, për nënat e baballarët e këtij vendi për gjyshërit tanë, që fëmijët e këtij vendi të mos ikin më. Ky shesh këta qytetarë kanë arritur të bashkohemi përballë arrogancës duke ndalur rritjen e çmimit të naftës duke i detyruar ta ulin, duke i detyruar të kalojnë nga teoria ‘shteti nuk ka lidhje me teorinë ne po bëjmë sa mundemi ata munden më shumë se ato nuk janë lekët e tyre ato janë lekët tuaja. Ndaj kurajo duhet kurajo, secili nga ju duhet të ketë kurajo ne duhet t’i ndalim ne i detyruam të ndalen, të ulin çmimin të ngrenë borde e do i detyrojmë bashkë të na trajtojnë me dinjitet”, tha ai.

Një nga qytetarët protestues që mori fjalën në tubimin para Kryeministrisë tregoi planin që nëse nuk marrin përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre, “nuk do të shkulemi nga sheshi”.

Sot jemi mbledhur këtu për të mos e lëshuar këtë shesh deri kur kryeministri të plotësojë kërkesat tona. Sot ti tregojmë oligarkëve dhe kryeministrit se si i keni rritur çmimet e japin tendera falso. Sot jemi shumë në këtë shesh duhet të mbushemi dhe më shumë. Nëse nuk plotësohen kërkesat qytetarët nuk do shkulen nga sheshi.  540 mijë lekë këtë muaj shpenzime vetëm për bukë makarona oriz dhe patate. Kush i ka 540 mijë lekë? Këta i bëjnë llogaritë mbrapsht. Ta harrojë Rama se ne do largohemi nga sheshi. Ta harrojë se largohemi nga sheshi pa marrë të drejtat tona”, tha qytetari.

Për burrat e këtij vendi të qëndrojnë gjatë gjithë natës këtu të qëndrojnë deri sa këtij vendi t’i kthehet shpresa”, ishte thirrja e një aktivisteje.

 “Protestat e qytetarëve”

Revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.

Çmimi i naftës, brenda 24 orëve, u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.

Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.

Për disa ditë me radhë manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës dhe në disa qytete të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka konsideruar si  “protestat më të turpshme, që Shqipëria as ka pasur as s’do të ketë ndonjëherë”.

Ai shtoi se edhe reagimi mbështetës ndaj tyre është i turpshëm.

Çfarë përmban paketa e rezistencës?

Bëhet fjalë për një paketë me shtatë pika.

E para është derdhja e menjëhershme e 3.6 milionë lekëve për të indeksuar pensionet. Pika e dytë do të jetë kompensimi i çmimeve të shportës për 434 mijë përfitues.

Pra, Qeveria do të japë 3 mijë lekë të vjetër për disa kategori: pensionistëve, personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët me ndihmë ekonomike.

Gjithashtu, pika e tretë do të jetë mbëstetja për fermerët, me naftë pa taksa do të shkojë në 1.5 miliardë dollarë.

Pika e katërt është mbështetja për qytetarët që përdorin linjat urbane, duke depozituar 500 milionë lekë. Kështu nuk do të preket çmimi i biletës.

Po ashtu, do të futet në fuqi ligji, për përgjysmim e taksës për pagat mbi 500 mijë lekë të vjetër.

Pika e gjashtë, është rritja e pagës minimale, që në muajin prill shkon 320 mijë lekë të vjetër.

E fundit, është mbrojtja e çmimit të energjisë – qeveria do të depozitojë 200 milionë dollarë.

FOTO GALERI
2/43

Top Channel