Sulme në Lviv, Mariupol, Kiev dhe qytete të tjera ukrainase/ Disa viktima dhe dhjetëra të plagosur

18/03/2022 13:43

Dita e 23-të e luftës në Ukrainë ka nisur me sulme dhe bombardime nga forcat ruse në disa qytete të vendit. Numri i civilëve të vrarë sa vjen e rritet, ndërkohë që Ukraina thotë se Rusia tashmë ka shënjestruar civilët.

Në Lviv, në Ukrainën perëndimore, këtë mëngjes është shkatërruar një fabrikë e riparimit të avionëve. Rusia goditi me raketa drejt vendit që është shumë pranë kufirit polak dhe është përdorur si një strehë e sigurt për mijëra refugjatë.

Sulme janë raportuar dhe në qytetin lindor të Kharkivit , ku një universitet dhe dy blloqe banesash u qëlluan me raketa, duke vrarë një person dhe plagosur 11 të tjerë.

Në qytetin jugor të Kramatorsk , dy persona u vranë dhe gjashtë u plagosën në një tjetër sulm me raketa. Dhe në kryeqytetin Kiev , një person u vra pasi një raketë e rrëzuar shpërtheu në një lagje banimi.

Mariupoli çdo ditë e më shumë është nën kontrollin e rusëve. Mijëra civilë besohet se janë bllokuar në qytet.

Po shpëtohen të mbijetuarit e teatrit në Mariupol. Civilët që ishin strehuar teatrin që u bombardua dy ditë më parë kanë dalë nga rrënojat. Deri më tani 130 njerëz janë shpëtuar, sipas zyrtarëve në Ukrainë, por ende qindra qytetarë mbeten nën rrënoja.

Top Channel